Neymar kërkon më çdo kusht të kthehet te Barcelona, aty ku shkëlqeu për 4 sezone nga viti 2013 deri më 2017-ën, por në garë për shërbimet e brazilianit janë edhe Real Madridi me Juventusin. Largimi i Coutinhos drejt Bayernit të Mynihut dhe dëmtimi i Dembelesë e bëjnë të pamundur shkëmbimin, që iu propozua fillimisht PSG-së nga Barça.
Presidentin të “blaugranave”, Bartomeu, i ka mbetur vetëm një alternativë: huazimi me mundësinë e blerjes.
Edhe pse kampionët e Francës preferojnë të arkëtojnë sa më shumë para nga shitja e Neymarit për të rregulluar balancën ekonomike, nuk përjashtohet që në fund të pranojnë huazimin.
Prestigjiozja “L’Equipe”, duke iu referuar një burimi të besueshëm pranë PSG-së, shkruan: “Jemi të hapur, por objektivi nuk është thjesht të arrijmë një marrëveshje, por plotësojmë kushtet ekonomike të kërkuara.”
Para këtij reagimi, radioja katalane RAC 1 kishte raportuar për një ofertë formale të Barcelonës për Neymarin: “Është një formulë që nuk është përjashtuar krejtësisht në Paris, por duhet të plotësohen disa kushte.”