Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka filluar të përdorë shprehjen “distancim fizik” e jo “distancim shoqëror”, si një mënyrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri nga një person në tjetrin, veprim që shumë ekspertë e kanë mirëpritur si një “hap në drejtimin e duhur”.
Përfaqësuesit e këtij organi shëndetësor global kanë thënë se ndërsa është absolutisht e domosdoshme për të mbajtur një distancë fizike për shkak të një pandemie, nuk do të thotë se duhet të ndahemi nga ana sociale nga të dashurit tanë, nga familja jonë.
Përhapja e shpejtë e virusit, e parë për herë të parë në qytetin kinez Vuhan dhjetorin e kaluar, ka detyruar shtetet në të gjithë botën të imponojnë izolim të plotë, të mbyllin aeroportet dhe të vendosin kufizime të mëdha për lëvizjen e qytetarëve të tyre.
“Sot teknologjia është aq e përparuar sa që ne mund të qëndrojmë të lidhur në shumë mënyra, pa qenë në të njëjtën dhomë ose fizikisht në të njëjtën hapësirë me njerëzit”, tha Maria Van Kerhove, epidemiologe e OBSH-së, duke shtuar se ata po e ndryshojnë shprehjen e tyre dhe tani po flasin për distance fizike dhe këtë për një qëllim sepse ata duan që njerëzit të qëndrojnë të lidhur.
Si të rritet hapësira fizike mes njerëzve
Për shkak se koronavirusi përhapet kryesisht përmes spërklave të frymëmarrjes, veçanërisht kur njerëzit kolliten ose teshtijnë, rekomandohet mbajtja e një distance të sigurt për të zvogëluar transmetimin.
OBSH rekomandon mbajtjen e një distance më shumë se një metër nga një person tjetër, ndërsa ekspertët e tjerë të shëndetit rekomandojnë një distancë prej të paktën dy metrash.
Mund të merren shumë masa për të rritur hapësirën fizike midis njerëzve.
Këto përfshijnë qëndrimin në shtëpi, duke punuar nga shtëpia nëse është e mundur, komunikimin me të dashur në internet në vend të komunikimit të drejtpërdrejtë, kufizimin e vizitave në shtëpi, shmangien e evenimenteve të mëdha publike ose transportin publik, distance mes njerëzve kur jeni në publik.
“Distancimi social tingëllon sikur njerëzit duhet të ndalojnë komunikimin, në mënyrë që ne të mund të ruajmë sa më shumë komunitet ndërsa mbajmë një distancë fizike mes nesh,” tha Xheremi Fries, profesor i sociologjisë në Universitetin Stenford, SHBA.
Ne duhet të distancohemi fizikisht, në mënyrë që të mbrojmë shëndetin e të gjithëve, por shëndeti mendor është i rëndësishëm dhe izolimi social nuk është i mirë për shëndetin mendor, shton Fris.
Dallime midis termave
Martin V. Bauer, profesor i psikologjisë sociale dhe metodologjisë investiguese në Fakultetin e Ekonomisë në Londër, mbështeti ndryshimin në terminologjinë e prezantuar nga OBSH, duke thënë se kjo duhej bërë shumë më herët.
“Që në fillim m’u duk se kjo zgjedhje e fjalëve nuk ishte e mirë, të flasim për “distancën sociale”, kur në fakt ne po mendonim për” distancën fizike “, deklaroi Bauer.
Distanca fizike matet në metra ose centimetra. Kjo është distanca gjeografike nga personi A tek personi B, ndërsa distanca sociale mat distancën midis kufijve socialë, shpjegon Bauer.
Bauer tha se ishte shumë e rëndësishme të bëhet dallimi midis dy termave
“Është pozitive që OBSH-ja më në fund e ka korrigjuar gabimin e ngatërrimit të termit së distancës fizike me distancën sociale,” shtoi ai.
Në këto kohë të pazakonta të viruseve (pandemike), ne duam distancë të qartë fizike (të paktën dy metra), por në të njëjtën kohë ne dëshirojmë që njerëzit të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit “nga ana sociale”. (koha.mk)