Popujt fqinj, të cilët kishin në kujtesën e tyre kolektive historike përvojën e mbretërimit (Serbët kishin Kanunin e Car Dushanit në të cilin kishin të inkorporuar institucionin e perandorit), kishin arritur një shekull përpara nesh të çliroheshin nga Perandoria Otomane, kurse ne, në mungesë të kësaj kujtese kolektive, e shprehur si mungesë e kishës autoqefale, e mungesës së përvojës qeverisëse mbretërore dhe mungesës së modifikimit normativ kanunorë, ecnim më ngadalë nëpër itinerarin e historisë moderne
Nga Senat FERATI
Është bërë e zakonshme nëpër qarqet intelektuale e politike, tashmë, që për vonesën tonë historike të zhvillimit kombëtar të i fajësojmë pushtimet romake, bizantine, otomane e komuniste të hapësirave etnike shqiptare. Sidomos këto dy sundimet e fundit, ai otoman dhe komunist, i trajtojmë si fajtorët kujdestar të të gjitha të këqijave të cilat po e pllakosin shoqërinë shqiptare. Por, vallë, të këqijat që na kanë goditur në periudha të ndryshme a mos kanë qenë rezultat edhe i analizave jokritike të përvojave tona të akumuluara gjatë rrugëtimit tonë historik ndër shekuj. A kemi qenë, në momentet kyçe historike, mjaftueshëm vetëkritik për të marrë vendime të drejta në favor të interesave tona, apo, në mungesë analizave të përshtatshme, duke mos analizuar me kriticizëm të mjaftueshëm përvojat e akumuluara, kemi marrë vendime të disfavorshme të cilat kanë rezultuar me zhvillime negative shoqërore në shekujt e ardhshëm? Deri kur do të vazhdojmë me avazin e fajësimit të tjerëve, e kur do të fillojmë që gishtin për këto dështime e vonesa të e drejtojmë kah vetvetja? Pjekuria politike, kulturore e civilizuese e një kombi nuk matet vetëm me të mirat materiale që i ka prodhuar në të kaluarën apo i prodhon aktualisht, por edhe me shkallën e dëshmuar të vetkriticizmit kontinuitiv në të kaluarën dhe në momentin e tanishëm historik.
Nëse në Mesjetë, para pushtmit Otoman, Serbët, Grekët e Bullgarët, si fqinj tanë të parë, kishin arritur të krijonin mbretëritë e tyre të cilat ekzistonin ndër shekuj, pyetja e paevitueshme është se pse edhe Shqiptarët, në atë kohë, nuk kishin arritur të krijonin mbretërinë e tyre në hapësirën etnike në të cilën shtriheshin gjeografikisht? Do t’ia lëmë fajin tjetrit, Bizantit, apo do ta pranojmë se këtu “faji” qëndron më shumë te ne? Do t’i bëjmë fajtor perandoritë Romake dhe atë Bizantine pse na përçanë në dysh me kishat e tyre, që na e ndanë territorin etnik shqiptar sipas Vijës së Teodosit, apo përgjegjësinë për këtë duhet kërkuar te ne, meqë në atë kohë ne nuk kishim ende Kishën tonë autoqefale, sikur që e kishin popujt tjerë fqinj, Serbët e Bullgarët? Kjo ka shumë rëndësi të dihet meqë Kisha ishte ajo që e kurorëzonte vikend për mbret të një territori, si sundimtar legjitim mbi aristokracinë (princat, kontët apo despotët) e vendit dhe banorët e saj. Dihet se asokohe shqiptarët ishin të organizuar politikisht vetëm deri në nivelin e bajraqeve (principatave), si mekanizëm vertikal subordinues i organizimit të hierarkisë shoqërore e politike. Dhe, kuptohet, për t’i ikur simplifikimit, nuk është Kisha i vetmi faktorë i cili ndikonte efektivisht në homogjenizimin shoqëror të një etnikumi dhe në kompaktësinë territoriale të sajë, por ajo ishte conditio sine qua non për ekzistimin e mbretërisë në këto hapësira, në kontinentin e Europës. Po ashtu, mungesa e kishës qendrore, autoqefale, pastaj i rezultonte domosdoshmërisht status të caktuar politik gjithë etnikumit shqiptar në raport me popujt tjerë sepse ata duhej të i nënshtroheshin ose Patrikanës së Stambollit – realisht i nënshtroheshin Kishës Ortodokse Serbe apo Kishës Ortodokse Greke – ose i nëntroheshin Kishës katolike të Vatikanit. Pra, pyetja është: pse Serbët e Bullgarët kishin arritur me u pavarësuar prej Patrikanës së Stambollit dhe kishin arritur me u organizuar si mbretëri e perandori, dhe me këtë sistem organizimi ekzistuan deri në pushtimin Otoman, kurse ne ishim ende të organizuar në nivel të principatave? A është patjetër “faji” të kërkohet jashtë nesh, apo po frikësohemi të e gjejmë fajin brenda nesh, brenda vlerave tona kulturore etnike? Pse nuk kishim arritur të krijonim mbretëri, qoftë sipas parimit të primogeniturës mashkullore, qoftë sipas parimit të promogeniturës edhe mashkullore edhe femërore (mbretëresha Teuta), meqë vetëm Mbreti, si institucion i pavarur nga feudalët, kishte rolin unifikues në shtet dhe në tërë shoqërinë, ai ishte simbol i unitetit dhe identitetit kolektiv, simbol i kontinuitetit të traditës etnike. Vetëm mbretëria ishte ai institucion i cili një shtet (dhe popull) e bënte subjekt gjeopolitik, kurse mungesa e mbretërisë këtë popull e bënte objekt të sundimit nga dikush tjetër. Është e nevojshme për ne të kuptojmë se pse Mbretëria e Arbërit (Regnum Albaniae) kishte qenë aq jetëshkurtre? Si ndodhi që edhe modeli i mbretërisë ku për mbret zgjedhet dikush nga ndonjë dinasti mbretërore nga jashtë, prej ndonjë familje mbretërore europiane (familja e Karlit l Anzhuin), të tregohet i pasuksesshëm për rrethanat shqiptare gjatë periudhës së Mesjetës? Të arsyetohet ky mossukses me armiqësitë e mbretërive fqinje ndaj nesh, kur ato njëkohësisht ishin edhe armike të njëra-tjetrës, është ky një argumentim pa bazë shkencore sociologjike e politike. Çështja, pra, është gjetiu.
Këtu duhet patjetër të e marrim parasysh edhe ndikimin e Kanunit (në të katër variantet e tij) si e drejtë zakonore, si institucion juridik i trashëguar, në organizimin ekonomik e politik të shoqërisë shqiptare për periudhën konkrete, si edhe më vonë, sepse mungesa e idesë (konceptit, normës) së Mbretit, e idesë së të Parit si parim themelues juridik, i Njëshit si njëjës e jo si shumës (princat, bajraktarët), kishte lënë pasoja edhe në konstituimin e Një Kishe qendrore e cila, rrjedhimisht, më pastaj do të i përcaktonte edhe kufijtë shtetëror ku do të shtrinte sundimin e saj meqë do të duhej të i normativizonte të drejtat dhe obligimet e saj kundrejt feudalëve dhe njerëzve tjerë brenda këtyre kufijve. Duhet të ia sqarojmë vetes sonë këtë mungesë normative në Kanunin shqiptar, meqë Kanuni është produkt ekskluzivisht i gjeniut shqiptar, dhe askujt tjetër. Ne, si populli më i vjetër autokton në Gadishullin Ballkanik, kishim dëshmuar shumë herë potencialin tonë të qeverisjes dhe organizimit politik duke i dhënë, gjatë Mesjetës, disa perandorë të famshëm Bizantit, disa papë Vatikanit, më vonë disa vezir e sadriazem Perandorisë Otomane, por nuk kishim arritur me organizuar vetveten si popull deri në atë cilësi sa për të prodhuar ndonjë dinasti mbretërore që do të sfidonte shekujt.
Popujt fqinj, të cilët kishin në kujtesën e tyre kolektive historike përvojën e mbretërimit (Serbët kishin Kanunin e Car Dushanit në të cilin kishin të inkorporuar institucionin e perandorit), kishin arritur një shekull përpara nesh të çliroheshin nga Perandoria Otomane, kurse ne, në mungesë të kësaj kujtese kolektive, e shprehur si mungesë e kishës autoqefale, e mungesës së përvojës qeverisëse mbretërore dhe mungesës së modifikimit normativ kanunorë, ecnim më ngadalë nëpër itinerarin e historisë moderne. Kjo ngadalësi, pa përjashtuar edhe faktorët sociologjik, politik e religjioz, është pasojë e korelacioneve të vlerave tona kulturore e antropologjike në mendësinë tonë, andaj, për të kuptuar fatin tonë historik pa prejudikime është e domosdoshme të realizojmë introspeksionin kritik të sistemit të vlerave tona etnopsikologjike dhe antropologjike që të evitojmë analizat tendencioze joproduktive, që të mos fajësojmë të tjerët s aherë që na mungojnë idetë kreative gjatë ballafaqimit me sfidat me të cilat ndeshemi në rrugëtimin tonë historik. (koha.mk)