Rrëzimi i Netanjahut nuk ka të bëjë me ngjarje apo ide. Ka të bëjë me karakterin. Të metat e karakterit që nxitën rrëzimin e Netanjahut ishin të dyfishta: shoqërore dhe morale. Numri i njerëzve që Netanjahu mbështeti, i bëri aleatë dhe që u kthyen nga miq të ngushtë në armiq është befasues
Nëse ka diçka të vetme që historianët do të bien dakord në të ardhmen është se rënia e Netanjahut nuk u shkaktua nga ndonjë ngjarje, apo ide, por nga karakteri i tij. Nëse drama e këtyre ditëve në Izrael rezulton në largimin e Netanjahut nga posti që ka mbajtur për vite me radhë, hija e tij do të jetë mes izraelitëve, ndoshta për vite me radhë. Edhe nëse Bennett-Lapid do të formojë qeverinë e re, shanset për një rikthim të Netanjahut janë të larta: Koalicioni do të jetë i brishtë, Irani mund të vazhdojë sulmet dhe gjykata mund ta shpallë të pafajshëm. Këto janë pikërisht disa nga arsyet që mund të bëjnë Netanjahu të rikthehet përsëri në pushtet. Por megjithatë, Netanjahu është cilësuar si një udhëheqës i qëndrueshëm, një person i cili nuk pranon fatin e tij dhe as dorëzohet. Historianët ka të ngjarë ta cilësojnë vitin 2021 si vitin kur humbi shkëlqimi i tij. Pas 12 vitesh në politikë, truket e një magjistari, i cili bëri koalicione, mbrojti kundërshtarët e tij dhe luajti me partitë rivale dhe aleate nuk ekzistojnë më.
Por çfarë e shkaktoi rënien e tij? Rënia e liderëve të fuqishëm është gjithmonë komplekse, por shpesh është vërtitur rreth një ngjarje masive, ose një ideje të re. Për shembull, pushteti i Lindon Xhonson mori fund për shkak të Luftës së Vietnamit, të cilën ai nuk diti si ta mbyllte. Në mënyrë të ngjashme, edhe udhëheqja e Menacem Begini mori fund për shkak të Luftës së Libanit. Udhëheqja e Czar Nikolai mori fund nga komunizmi, fuqia e të cilit nuk arriti të vlerësohej, ashtu si Erich Honecker, Nikolai Ceausescu dhe pjesa tjetër e udhëheqësve të fundit komunistë. Rënia e Netanjahut nuk është rezultat i ndonjë problemi nga jashtë. Ndryshe nga Golda Meir, vendi tij nuk u prek nga lufta e Yom Kippur. Ndryshe nga Herbert Hoover, ai nuk kishte asnjë konflikt madhor dhe ndryshe nga George Ë. Bush, ai nuk u godit nga uragani Katrina.
Nëse ka diçka që rriti suksesin e tij është rënia e marrëveshjes së paqes së Oslos. Por rrëzimi i Netanjahut nuk është diçka që ai nuk e priste. Si ministër i Financave, ai finalizoi revolucionin kapitalist të Izraelit në përputhje me trendet globale të shekullit të kaluar. Kur u përball me protesta për strehim dhe ulje të çmimeve të ushqimeve, kryeministri u tërhoq nga politika e tij monetariste për një metodë kapitaliste pas krizës financiare të vitit 2008. Prandaj rrëzimi i Netanjahut nuk ka të bëjë me ngjarje apo ide. Ka të bëjë me karakterin. Të metat e karakterit që nxitën rrëzimin e Netanjahut ishin të dyfishta: shoqërore dhe morale. Numri i njerëzve që Netanjahu mbështeti, i bëri aleatë dhe që u kthyen nga miq të ngushtë në armiq është befasues.
Ata janë Gideon Saar, i cili dikur ishte ministër i arsimit, Avigdor Liberman, i cili dikur ishte drejtor i përgjithshëm i zyrës së tij, Naftali Bennett, i cili dikur ishte shef kabineti, Yair Lapid, i cili dikur ishte ministër i financave dhe Benny Gantz, i cili ende është ministër i mbrojtjes. Kjo është një listë e pjesshme e njerëzve që humbën besimin te Netanjahu që nga vitet 1990. Më pas humbja e besimit te Netanjahu ishte bërë aq solide dhe e përhapur sa askush nga partnerët e tij të koalicionit nuk besonte më premtimet e tij. Si nuk mund ta kuptonte Netanjahu që të lije jashtë qeverisë së tij Gideon Saar (me më shumë se 30 anëtarë) do ta bënte atë të urryer? Si mund të mos e kuptonte ai se Bennett nuk do ta falte përpjekjen e tij për të përhapur lajme negative në lidhje me gruan e Bennett? Si do ta falte Gantz dështimin e Netanjahut për të negociuar rreth marrëveshjes së paqes? Vetëm një person emocionalisht i dobët mund t’i poshtërojë njerëzit si ai.
Nëse ai nuk mund të kuptojë turpin që u shkakton njerëzve të tjerë, shumë kanë shpresuar se ai të paktën mund të mësonte të llogariste mënyrën se si të tjerët do t’i përgjigjeshin arrogancës së tij. Ai nuk mundi ta llogariste as këtë. Kjo, pra, është e meta që ka zhvlerësuar udhëheqjen e Netanjahut, e meta morale që buron prej saj. Ai besonte se ishte më i zgjuari dhe gjithë të tjerët ishin budallenj. Netanjahu e mendonte veten të plotfuqishëm dhe për të drejtësia ishte e vogël dhe kështu, shumë shpejt ajo që u cilësua si një dhuratë me vlerë prej 1 milion dollarë nga dy milionerë u zbulua që ishte në fakt ryshfet. Në të vërtetë, krahasimi dhe ekuilibrimi i madhështisë dhe vogëlsisë së Netanjahut do të jetë detyra më e ndërlikuar e biografëve të tij. Rënia e tij nuk është mister. Ajo rezultoi nga mendjemadhësia e një udhëheqësi të madh që dinte kaq shumë për historinë, ekonominë dhe diplomacinë, por kaq pak për njerëzit, drejtësinë dhe besimin. (Jerusalem Post)