Fshehja e veturës “Opell Omega” si provë relevantë në rastin “Monstra” u zbulua pas gjashtë viteve. Faktin se pse kjo veturë nuk i është prezantuar palës mbrojtëse dhe të akuzuarve nuk dëshironin ta komentojnë as nga Gjykata Penale e Shkupi dhe aq më pak nga Prokuroria Speciale Publike. Në seancat e radhës të caktuara për muajin tetor sipas të gjitha gjasave do të diskutohen edhe detajet lidhur me këtë dëshmi
Omer XHAFERI
Shkup, 12 shtator – Gjashtë vite pas vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës në Shkup, vetura e famshme “Opell Omega” e cilësuar si ndër dëshmitë kyçe në rasti “Monstra” të martën u prezantua para opinionit. Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësit Ognen Stavrev dhe Osman Shabani, prokurorët special Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski, përfshi avokatët e të akuzuarve në rastin “Monstra” dhe një numër i konsiderueshëm i gazetarëve në njërën prej depove të Agjensionit për Konfiskim të Pronës patën rastin nga afër të shohin veturën (dëshminë) e cila deri më tani ishte e njohur vetëm për policinë. Kontrolli dhe qasja mbi këtë veturë siç tha prokurorja speciale Fatime Fetai e demanton qëndrimin e palës mbrojtëse se vetura në pjesën e pasme nuk ka pasur ulëse, gjegjësisht në pjesën e pasme të gomave nuk ka pasur mbrojtje nga lloçi. Faktin se bëhet fjalë për veturën e njëjtë të cilën deri më sot pala mbrojtëse e të akuzuarve në rastin “Monstra” e kishte parë vetëm në fotografi, e vërtetuan edhe avokatët Naser Raufi dhe Asmir Alispahiç. Megjithatë, dilema e cila duhet të sqarohet në proces gjyqësor është sepse kjo dëshmi është fshehur gjatë këtyre gjashtë viteve. Në bazë të procesverbalit që e dispononte depoja e Agjensionit për Konfiskim të Pronës, vetura “Opell Omega”, në magazinën e Milladinovcit ishte pranuar me 1 nëntor të vitit 2012. Paraprakisht ajo ishte nënshkruar ekspertizë nga ana e policisë së shtetit. Pas hapjes së veturës të martën dhe vëzhgimit të detajuar nga opinioni aty u gjetë një çantë dhe dy monedha të hekurta. Ngjashëm si Prokuroria për krim të organizuar, ashtu edhe Prokuroria Speciale Publike deri më i qëndron prapa aktakuzës se më këtë veturë nga vendi i ngjarjes deri në vendin “Vrazhimir” është vozitur i akuzuari në arrati Halil Demiri, i cili ngarkohet si njëri prej ekzekturorëve të veprës. Përsëritja e kësaj procedurë vijon pasi që lënda për rastin “Monstra” me vendim të Gjykatës Supreme të Maqedonisë vitin e kaluar u kthye në shkallë të parë. Mos prezantimi i këtyre dëshmive palës mbrojtëse dhe të akuzuarve, si një dhe varg shkeljesh tjerash procedurale ishin baza kryesore në të cilën Këshilli Penale i Gjykatës Supreme e mbështeti vendimin e saj për shfuqizimin të vendimeve paraprake të Gjykatës Penale të Shkupit dhe asaj të Apelit. Debati dhe pyetjet për kredibilitetin e dëshmive kundër të akuzuarve Halil Demiri (në arrati), Afrim Ismailloviq (në arrati), Agim Ismailloviq, Fejzi Haziri (në burg për armë mbajtje pa leje), Haki Aziri dhe Sami Luta pritet të vazhdoi në njërën prej seancave gjyqësor që do të zhvillohen në tetor. Rigjykimi i rastin “Monstra” deri më sot përveç prezantimit të veturës “Opell Omega” nuk ka shpalosur asnjë detaj të ri për opinionin. Ndryshe, pasi PSP e mori përsipër shqyrtimin e rastin “Monstra” i gjithë opinionin ishte në pritje se e njëjta do të veproj në mënyrë ne njëjtë si në rastin e “Sopotit” ku u tërhoq aktakuza. Megjithatë, pas një sërë seancash gjyqësor deri më tani prokuroria e Katica Janevës vazhdon të qëndroj në aktakuzën e ngritur nga prokurorja kontroverse Gordana Geshkovska.