PSE KONSULLATË KSOVARE NË STRUGË E JO NË MANASTIR?

Përqëndrimi i gjithë vëmendjes në qendrat dhe mjediset e banuara me shumicë shqiptare, ku bën pjesë edhe Struga turistike dhe lënia anash e Manastirit nga dioptria politike e kulturore e faktorëve tanë, dëshmon defektet që ka sot bota shqiptare në përcaktimin e prioriteteve, e që ndryshe i bie të mos kenë ide as Prishtina e Tirana në hartimin e një strategjie kombëtare të zhvillimit kulturor e shpirtëror në mbarë hapësirën shqiptare

Nga Emin AZEMI

Qyteti historik i Manastirit është shumë aktual këtyre ditëve. Përpos manifestimeve që ndërlidhen me Kongresin e Alfabetit, janë edhe vizitat e shumta nga mbarë hapësira shqiptare që e shndërrojnë me të drejtë këtë qytet në një destinacion të preferuar. Dikush me të drejtë e quajti vend i shenjtë pelegrinazhi kulturor ku kujtohet një pjesë e historisë shqiptare.
Por, si duket vetëm Prishtinës zyrtare nuk iu bën shumë përshtypje gjithaq Manastiri dhe konteksti historik që ka ky qytet në formimin e traditës kulturore e arsimore të shqiptarëve. Ideja për ta bërë Strugën e jo Manastirin seli konsullore të Kosovës, flet për një mungesë sensi nga ana e këtij shteti, në ringjalljen e lavdisë së qytetit të Manastirit. Konsullata shqiptare kishte ekzistuar qysh në kohën e Zogut, pastaj gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe në periudhën 1945 – 1948 dhe është për t’u habitur se si nuk është marrë parasysh kjo përvojë pararendëse nga shteti i Kosovës për të vazhduar traditën edhe në ditët e sotme.

Pellagonia si rajon, ku arteriet etnike shqiptare po shkojnë duke u tharë, pa të drejtë është anashkaluar nga kujdesi institucional, kurse Manastiri si epiqendër e vlimeve të dikurshme kulturore-historike, po e paguan shtrenjtë koston e këtij anashkalimi. Përqendrimi i gjithë vëmendjes në qendrat dhe mjediset e banuara me shumicë shqiptare, ku bën pjesë edhe Struga turistike dhe lënia anash e Manastirit nga dioptria politike e kulturore e faktorëve tanë, dëshmon defektet që ka sot bota shqiptare në përcaktimin e prioriteteve, e që ndryshe i bie të mos kenë ide as Prishtina e Tirana në hartimin e një strategjie kombëtare të zhvillimit kulturor e shpirtëror në mbarë hapësirën shqiptare.

Manastiri i lavdisë së dikurshme, sot është shndërruar në një lagje të strukur shqiptarësh, të cilët bëhen të gjallë vetëm gjatë Ditëve të Alfabetit. Kjo gjallëri merr dinamikë vetëm pas aktiviteteve që i organizon ITSHKSh-Shkup, i cili është mjaft aktiv në revitalizimin e kujtesës historike përmes projekteve konkrete, siç është hapja e një Departamenti të veçantë për kultivimin e traditës së familjes fisnike Qiriazi nga Manastiri. Sikur të mungonin edhe këto ide dhe projekte, Pellagonia ngadalë do të shikohej si një ishull i vetmuar në hartën e mangësive shqiptare, kurse Manastiri do të mësohej në librat e më vonshëm të historisë si një qytet në të cilin të gjitha shtetet Ballkanike kishin konsullatat e tyre, përpos Kosovës.

Dikush nga diplomacia e këtij shteti shumë lehtë do të përgjigjet me komente se edhe nga Struga mund të mbulohet Manastiri, por kjo nuk mund të quhet një përgjigje denjë. Jo pse kjo nuk mund të bëhet nga Struga, por arsyeja pse Manastiri duhet të jetë seli konsullore e diplomacisë shqiptare, lidhet me karakterin shumëdimensional që ka ky qytet, e që mjaftojnë të përmenden vetëm dy: dimensioni i parë – aspekti i lavdisë dhe traditës kulturore-historik, si dhe, dimensioni i dytë – motivimi i banorëve vendorë të Manastirit dhe Pellagonisë për të lidhur më fuqishëm aspiratat e tyre kombëtare, kulturore e arsimore me këtë copë të shqiptarisë.

Të bësh shqiptari sot në Strugën turistike, ku sefaja dhe peshku i liqenit përzihen me menynë e papjekurisë diplomatike, është shumë kollaj. Por, Manastiri ka nevojë për një meny krejt tjetër…. Atje sofër ka, por fatkeqësisht Prishtina tërthorazi, me qëndrimin e saj shkurtpamës po iu thotë njerëzve ta braktisin edhe atë sofër të zbrazët, sepse atje menynë duhet lënë fqinjëve ballkanikë, të cilët në këtë rast, si edhe në të kaluarën, po tregohen më të zgjuar dhe më largpamës se një pjesë e diplomacisë shqiptare.