Pengesat për të mos lejuar krijimin e Qendrës albanologjike kanë ardhur nga krahu më radikal i këtij institucioni dhe nga departamentet e Linguistikës, por edhe Mjekësisë. Ishte po kjo pjesë e akademikëve që pasi insistuan në ndryshimin e emrit të kësaj qendre e më pas dolën hapur me qëndrime kundër Ligjit të gjuhës shqipe në shtator të vitit të kaluar
Evis HALILI
Shkup, 6 prill – Projekti për themelimin e një Qendre të studimeve ballkanistike është aktivizuar sërish në Akademinë e Shkencave dhe Arteve (ASHAM). Pas stagnimit të projektit fillestar të prezantuar gati tetë vjet më parë (pas skandalit të Enciklopedisë) dhe transformimit të idesë nga një qendër për studime albanologjike – në ballkanistike, ky projekt me insistimin e pjesës së akademikëve shqiptarë është rikthyer sërish në tavolinën e bisedimeve, shkruan gazeta KOHA.
Akademiku Abdylmenaf Bexheti thotë se për momentin duket se përkushtimi është i madh për ta çuar përpara këtë projekt, por mbetet të shihet nëse ky proces do të arrijë të përfundojë, apo do të shoqërohet me surpriza dhe kundërshti nga departamentet, në të cilat edhe ka ngecur pa arritur të marrë miratimin.
“Është diskutuar këto ditë, jo vetëm çështja e hapjes së kësaj qendre, por edhe punësimet brenda këtij institucioni. Kemi kërkuar po ashtu edhe angazhimin e punonjësve shqiptarë dhe ndryshimin e strukturës etnike të të punësuarve. Në këtë aspekt po ecim ngadalë, të themi me shpejtësinë e një kërmilli, por shpresojmë se situata të ndryshojë, kur duket se përkushtimi nga ana e kryesisë më të ngushtë është i madh”, thotë për KOHA, akademik Bexheti.
Pengesat për të mos lejuar krijimin e Qendrës albanologjike kanë ardhur nga krahu më radikal i këtij institucioni dhe nga departamentet e Linguistikës, por edhe Mjekësisë. Ishte po kjo pjesë e akademikëve që pasi insistuan në ndryshimin e emrit të kësaj qendre e më pas dolën hapur me qëndrime kundër Ligjit të gjuhës shqipe në shtator të vitit të kaluar. Rezistenca e tyre u shfaq edhe gjatë eliminimit nga gara për anëtarë me korrespondencë të kandidaturave shqiptare, mes të cilëve Zamir Dika dhe Mirushe Hoxha.
“Është e pashpjegueshme ajo që ndodhi, pasi kandidaturat morën miratimin dhe më pas u refuzuan po nga vetë departamentet. Besoj se në Kuvendin e përgjithshëm do të kalojë kandidatura e profesorit Neritan Ceka, si i jashtëm. Kam qenë promotor dhe arsyetues i kandidaturës së Cekës me idenë se na duhen profile të tilla në fusha ku ne kemi nevojë, si histori, kulturë, e të tjera”, thotë Bexheti.
Akademiku Alajdin Abazi, që është një prej iniciatorëve, bashkë me Ali Aliun, të themelimit të Qendrës Albanologjike, e cila fillimisht u kërkua që ta kishte selinë në Tetovë, thotë për KOHA se diskutimi këtë herë ka nisur në kushte më të volitshme, si nga miratimi i Ligjit për gjuhën shqipe, ashtu edhe nga vetë klima e krijuar brenda ASHAM dhe drejtuesve të saj.
“E kemi nxjerrë sërish në tavolinë, por nuk mund të them se kemi diçka konkrete, por gjithsesi është një hap pozitiv që krijon shpresa se mund të jemi drejt finalizimit të këtij projekti. Edhe pse fusha e saj është zgjeruar në studime ballkanistike, gjithsesi studimi i kulturës dhe gjuhës shqipe do të jetë pjesë, që nënkupton edhe angazhimin e albanologëve dhe ekspertëve nga ajo fushë”, thotë Abazi. (koha.mk)