Ideja e fundit e presidentit amerikan Donald Trump është ajo e të blerit të një ishulli. Dhe jo të një ishulli çfarëdo por më të madhin e botës; Grenlandën. Po pse Trump e dëshiron këtë ishull?
Në Grenlandën, që dëshirohet jo vetëm Trump, por edhe shumë të tjerë si p.sh kinezët, nuk ka vetëm karkalecë dhe eskimeze. Është edhe miniera gjigande e Kvanefjel, një prej pasurive më të mëdha globale të uranit dhe të mineraleve të rralla; lëndë të para gjithnjë e më strategjike në sfidën me Pekinin e që si rrjedhojë e ngrohjes globale, mund të shfrytëzohen më lehtësisht.
Deri para pak vitesh nxjerrja e lëndëve radioaktive ishte e ndaluar për të mbrojtur ambientin. Veç uraniumit, në ishullin më të madh të botës që banohet vetëm nga 56 mijë persona, ka edhe naftë, karbon, plumb, diamante dhe gaz natyror.