Në njerëz të caktuar, fishekzjarrët mund të shkaktojnë stres, ankth dhe gjendje parehatie. Po jo vetëm tek njerëzit. Një studim ka zbuluar se fishekzjarrët shkaktojnë probleme edhe në natyrë, tek zogjtë e egër. Studimi është bërë në Austri, me 20 pata të egra në një liqen. Në fshatrat pranë këtij liqeni hidhen fishekzjarrë në natën e ndërrimit të viteve. Studiuesit regjistruan rrahjet e zemrës dhe temperaturën e trupit të zogjve, të cilat janë matës të stresit fiziologjik njëherësh. Studimi i udhëhequr nga Dr. Claudia Wascher nga Universiteti Anglia Ruskin, regjistroi se rrahjet mesatare të zemrës së patave u rritën me 96%, nga 63 në 124 rrahje në minutë, në orën e parë të ditës së Vitit të Ri, nga mesnata deri në orën 1 të mëngjesit.
Temperatura mesatare e trupit të tyre u rrit me 3% (nga 38 gradë në 39) në të njëjtën periudhë kohore. Midis orës 1 të mëngjesit dhe 2 të mëngjesit, pasi kishin përfunduar fishekzjarrët, rrahjet mesatare të zemrës së patave ishin ende 31% mbi normalen, ndërsa temperatura mesatare e trupit mbeti 3% më e lartë se normalja. U deshën rreth pesë orë që patat të shfaqnin temperaturat normale të trupit. Pra u stabilizuan në orën 5 të mëngjesit. Ka pasur studime të mëparshme që tregojnë se fishekzjarrët mund të shkaktojnë ankth tek kafshët shtëpiake, për shembull te qentë, por pak kërkime janë bërë se si reagojnë kafshët në natyrë.