Europa ka një oreks të pangopur për çokollatën. Jo vetëm që është konsumatori më i madh në botë, por njëkohësisht edhe prodhuesi dhe eksportuesi më i madh, falë një pjesëmarrjeje globale prej 70% të tregut.
Por, ndërsa kontinenti dominon tregun e produkteve me çokollata të gatshme, vendet afrikane janë kolektivisht zemra e këtij suksesi, duke prodhuar dhe eksportuar më shumë se dy të tretat e kakaos, lëndës së parë të çokollatës. Vetëm Bregu i Fildishtë përbën një të tretën e kakaos së prodhuar në botë.
Në shumë mënyra, goditja e Evropës në këtë sektor nuk është befasuese, duke qenë se risitë e kompanive evropiane e transformuan tregtinë e kakaos në industrinë e çokollatës.
Përpjekjet e Afrikës për të hyrë në tregun e eksportit janë aq të vogla sa që Europa as nuk e konsideron atë ‘konkurrente’. Ndërkohë, Azia shihet si rivali më i madh i Europës në këtë aspekt, ku Kina tashmë është tregu i 11-të më i madh i çokollatës në botë. Ndërsa, Indonezia shihet si një vend që nuk mund të zgjerojë prodhimin e saj të kakaos më shumë, pasi kjo kërkon një punë më intensive dhe teknologji të specializuara.
Pavarësisht kësaj, Afrika ende është vendi ku mbetet e madhe mundësia për prodhim, eksport dhe konsum. Sipërmarrësit lokalë dhe qeveritë e prodhuesve më të mëdhenj të Afrikës, si ajo e Bregut të Fildishtë dhe Ganës, po bëhen ‘seriozë’ në lidhje me mundësinë për të rritur furnizimin me kakao.
Ndërkohë, analistët e ‘Gro Intelligence’ shprehen se nëse qeveritë afrikanë e marrin seriozisht diversifikimin e ekonomive të tyre dhe sigurimin e vendeve të punës, prodhimi i çokollatës është një industri e madhe dhe ideale për t’i arritur këto objektiva. Ndërkohë, shtuan më tej se ekzistojnë kushtet e duhura për prodhuesit e çokollatës që të pozicionohen dhe të zënë ‘rrënjë’ atje.