Një turizëm më i zhvilluar dhe avancuar në vitin 2025 apo 2030, nënkupton edhe shitje të sigurt të një pjese të prodhimeve vendore bujqësore dhe blegtorale, punësime me paga në rritje, rritjen e sektorit të shërbimeve duke filluar nga tregtia, transporti, restorantet, punimet artizanale
Nga Fisnik PASHOLLI
Aktualiteti i turizmit vendor flet se përskaj vonesave në vaksinimin e popullatës dhe punëtorëve turistik, shpresohet se deri në muajin qershor – do të vaksinohen një pjesë e madhe e popullatës dhe stafi i turizmit. Kjo së paku do të ndihmojë turizmin vendor të mbijetojë dhe të shpëtojë deri diku këtë vit turistik, pas një sezoni plot me humbje të vitit të kaluar. Punëtorët turistik, së bashku me vështirësitë e funksionimit të përditshëm, respektimit të masave për ruajtjen e shëndetit publik, rritjen e kostos së punës me vendosjen e protokolleve për një pushim të sigurt për vizitorët që do të ofrojnë edhe të njëjtat masa si në Evropë – po ballafaqohen edhe më tej me sfida nga më të ndryshmet.
Një obligim dhe detyrë e të gjithë faktorëve, duke nis nga shteti që duhet të krijojë kushte për investime më të mëdha, të angazhohet për përmirësimin më të madh dhe më të shpejtë të infrastrukturës jo vetëm rrugore, e deri tek privati që së bashku me shtetin – duhet të krijojë një prodhim vendor turistik, ku sezoni turistik nuk do të zgjasë vetëm dy muaj, por së paku gjashtë muaj. Me këtë do të krijohet një prodhim turistik që do të josh turistët e huaj, të flenë së paku një javë në vend të tre netëve që flenë deri tani. Në kohë të një botë të globalizuar kur në tërë Evropën dhe në botë ekziston një ofertë e larmishme i për nga çmimet dhe cilësia, shtrohet pyetja se çka ofrojmë ne si destinacion turistik, apo me çka dallohemi nga të tjerët?
Nuk do të ndalemi këtu në një nga dobësitë kryesore të turizmit vendor, atë të autostradës akoma të pa ndërtuar në tërësi prej Shkupit deri në Ohër dhe Strugë. Apo subvencionimit të turistëve vendor me vauçerë, apo edhe zgjerimit për subvencionimin e turistëve të huaj, zgjerimit eventual të listës së shtetasve të huaj që mund të vijnë pa viza për pushime në vendin tonë, por do të theksojmë faktin se një denar i investuar nga ana e shteti sot, nesër do të sjellë së paku dy denarë në rritjen e konsumit të prodhimeve vendore, rritjen e shërbimeve të ndryshme e kështu me radhë.
Punëtorët turistik me vite theksojnë edhe problemin se çfarë lloj i kapaciteteve turistike na nevojitet që të rrisim dukshëm edhe vlerën e shtuar në turizmin vendor. Kur ekonomistët flasin për ndonjë veprimtari ekonomike, në parim përpiqen të matin dhe krahasojnë produktivitetin e saj, apo rezultatin për njësi të investuar. Thënë ndryshe, në turizëm kjo matet me numrin e vizitorëve dhe fjetjeve të realizuara. Sa më shumë fjetje, aq më shumë edhe fitim për të gjithë që nga sektori privat, të punësuarit e deri tek shteti. Tani jo se mungon përkrahja e shtetit për turizmin vendor, apo për promovimin e tij, por kjo duhet të rritet me një suport më të madh i shtetit në aspektin e organizimit dhe strukturimit të ofertës dhe joshjes së turistëve që edhe të harxhojë më shumë.
Dhe nuk mbajnë krahasimet me shtetet fqinje si Shqipëria, Bullgaria, apo Greqia që posedojnë një resurs të çmuar natyror si deti. Çdo ofertë turistike në botë ka konsumatorët e saj dhe nuk janë të gjithë të prirë që patjetër të shkojnë në det për pushime. Edhe një pushim në liqen, mal, lixha rikuperon trupin dhe kërkohet se vjen e më shumë edhe në botën e zhvilluar të turizmit.
Një turizëm më i zhvilluar dhe avancuar në vitin 2025 apo 2030, nënkupton edhe shitje të sigurt të një pjese të prodhimeve vendore bujqësore dhe blegtorale, punësime me paga në rritje, rritjen e sektorit të shërbimeve duke filluar nga tregtia, transporti, restorantet, punimet artizanale.
Një prodhim turistik mirë i menduar, i paketuar , modern, i standardizuar dhe i promovuar si duhet që nga akomodimi, ushqimi, transporti, etj – do të rriste për çdo vit, numrin e turistëve të huaj në vend, për shkak se do të ofronte me dhjetëra , në mos me qindra argumente bindëse pse duhet të vijnë turistët e huaj, për vizitë tek ne. (koha.mk)