Të gjithë duhet të mbajnë maska brenda shtëpisë nëse një anëtar familje është me simptoma të Covid-it apo nëse ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirusin. Kjo është këshilla e ekspertëve të shëndetit në Europë, të cilët thonë se janë shumë të dobishme për të parandaluar përhapjen e virusit, fillimisht brenda familjeve e më pas jashtë saj. Kërkimet për mënyrën se si llojet e ndryshme të maskave dhe mbulesave të fytyrës mbrojnë nga virusi kanë ndryshuar, por ekspertët thonë se gjithsesi një mbrojtje me një maskë është më mirë sesa asgjë.
Në Britani, maskat e fytyrës u bënë me detyrim për transportin publik në muajin qershor dhe më pas u kërkua të vendosej edhe në dyqane dhe hapësira të tjera të brendshme. Rregullat e distancimit social dhe maskës së fytyrës mund të zgjasin të paktën deri në vjeshtë nën planet që diskutohen nga Doëning Street për të lehtësuar Britaninë nga kufizimet për shkak të përhapjes së koronavirusit dhe pranisë së varianteve të reja.
ECDC rekomandon që përdorimi i maskës së fytyrës të shtrihet brenda shtëpive të qytetarëve pasi sipas ekspertëve kjo mbrojtje bëhet edhe më e fortë sesa në mjediset jashtë. Një studim në Kinë vitin e kaluar tregoi se maskat ishin 79 % të efektshme në uljen e transmetimit të virusit midis njerëzve në të njëjtën familje përpara se dikush prej anëtarëve të familjes të shfaqte simptomat. Ndërkaq, ekspertët këshillojnë të kenë kujdes edhe në prekjen e dorezave të dyerve brenda shtëpisë nëse një prej anëtarëve është i infektuar, pasi mund të kthehet në burim infeksioni.