Partitë opozitare mund të gjejnë të gjitha arsyetimet e botës për të arsyetuar humbjet e tyre, ato mund të vazhdojnë të bëhen të shurdhra ndaj kritikës, mundet asaj t’i përgjigjen me linçime publike nga aktivistët e tyre, mund të mundohen ta denigrojnë kritikuesin por nuk e ndryshojnë dot faktin që 20 vite me radhë janë duke dremitur jashtë pushtetit. Prandaj, ndryshimi ndoshta edhe mund të filloj kur opozita do të jetë më e hapur ndaj kritikave, të reflektojnë dhe të ndryshoj qasjen
Nga Sefer SELIMI Jr.
Që nga themelimi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) e deri më sot, kjo parti i ka fituar të gjitha zgjedhjet në kampusin shqiptar dhe përjashto vitet 2006-2008 ajo ka qenë në vazhdimësi pjesë e pushtetit ekzekutiv. Në ndërkohë, opozita e partive shqiptare ka pasur transformime, rikciklime, tjetërsime dhe ribrendime në parti të ndryshme herë sezonale e herë më serioze. Por një gjë është e pakontestueshme, opozita me cilëndo formë të organizimit nuk e ka fituar BDI-në e Ali Ahmetit deri më sot. Si është e mundur që një parti e cila për gati 20 vite në pushtet, e mbushur me qindra skandale korruptive, dështime spektakulare karshi ngjarjeve të rëndësishme shoqëroro-politike, me aq shumë premtime të parealizuara, me të njëjtën strukturë udhëheqëse që qarkullon nga pozita në pozitë dhe dhjetëra dobësi tjera kundrejt votuesve vazhdimisht e fiton opozitën?! Jemi mësuar që pas çdo cikli zgjedhor të dëgjojmë arsyetimet nga opozita se pse ka fituar BDI por asnjëherë se pse ka humbur opozita. Nëse opozita dëshiron vërtetë të sjell ndryshimin duhet të filloj duke ndryshuar qasjen opozitare.
OPOZITARIZMI ARKAIK
Pavarësisht se kush ka qenë në krye të opozitës, pavarësisht koalicioneve dhe përçarjeve, pavarësisht momentit politik narrativi i tyre ka qenë gjithmonë i njëjtë dhe i bazuar vetëm në një temë: BDI dhe Ali Ahmeti. Thuajse asnjëherë opozita nuk ka arritur ta imponoj narrativin e vet, por gjithmonë e ka ndjekur nga prapa narrativin e BDI-së. Në këto 20 vite janë thënë e stërthënë të njëjtat akuza, të njëjtat kritika dhe sërish rezultati është i njëjtë. Konkluza logjike e kësaj është që kjo qasje nuk funksionon! Cila duhet të jetë qasja e re? Një nga akuzat më të qëndrueshme që opozita ia bën BDI-së është akuza për korrupsion, por asnjëherë duke e konkretizuar dhe duke e personalizuar atë por duke e lënë të përgjithshme dhe pa fakte konkrete. Është e vërtetë që opozita nuk mundet të luaj rolin e prokurorit por çfarë opozite mund të jetë ajo e cila nuk ka qasje në institucione publike për siguruar dokumente, informata dhe fakte që japin indicie konkrete për korrupsion? Ndërkohë që akuzat dhe perceptimin për korrupsion të përgjithshëm i bëjnë organizatat lokale e ndërkombëtare nuk kemi nevojë që opozita t’i konkludoj të njëjtat por t’i vërtetojë dhe t’i konkretizojë duke i lokalizuar në institucione konkrete, me raste konkrete dhe të njëjtat t’i ekspozoj para publikut dhe më pas t’i procedoj në institucionet përkatëse.
KRITIKA PA ALTERNATIVË
Puna e opozitës nuk është vetëm të kritikoj. Gjendjen faktike për funksionim të dobët ose jo, më mirë se vetë qytetarët të cilët çdo ditë shfrytëzojnë shërbimet publike nuk e bën askush tjetër. Opozita duke kritikuar punën e institucioneve nuk bën asgjë tjetër përveç konkluzës tash më të ditur. Ajo duhet të fokusohet në alternativë për zgjidhjen e problemit. Në Maqedoninë e Veriut ka thuajse mbi 1500 institucione, agjenci dhe ndërmarrje publike. Përveç akuzave të përgjithshme nuk më kujtohet një rast që ofron alternativë ose sugjerime konkrete për përmirësimin e punës të një institucioni konkret. Si mund të duket një qasje e re? Ta zëmë për shembull Agjencinë për Financim të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ekspertët e opozitës duhet të bëjnë analizë funksionale të saj, në biseda me bujqit në terren të konkludojnë, cilët janë pengesat, sa dhe si shfrytëzohen mjetet, a ka korrupsion dhe të dalin me plan konkret për përmirësimin e punës, me masa dhe sugjerime që do të përmirësojnë atë. Qytetarët, votuesit vërtetë janë të dëshpëruar për ndryshim por ndryshimi është term abstrakt që vjen me shumë të panjohura, madje dhe plotë pasiguri dhe frikë prandaj opozita ka për detyrë që vizionin e saj për ta sjell atë ndryshim ta thjeshtëzoj, madje t’ua vizatoj qytetarëve.
DALJA NGA GUACA
Në 20 vite nuk më kujtohet të kem dëgjuar ndonjëherë nga opozita e partive shqiptare të merren seriozisht me punën e ndonjë ministri që udhëhiqet nga partitë maqedonase, thuajse ato janë të parëndësishëm dhe nuk punojnë edhe për votuesit e tyre. Fokusimi vetëm tek kritika ndaj ministrave dhe funksionarëve të BDI e mban opozitën të ngulfatur tek narrativi arkaik i të bërit opozitë. Një opozitë serioze e cila pretendon që do të jetë partner koalicionues ndryshe nga BDI duhet ta thyej këtë rregull të pashkruar dhe të del nga guaca e vet 20 vjeçare. Qasja nuk guxon të jetë selektive.
MOBILIZIMI OPOZITAR
Në disa cikle zgjedhore vota e opozitës ka qenë më e madhe se ajo e BDI-së por fragmentimi i saj në kombinim me sistemin zgjedhor ka mundësuar që BDI të ngadhënjej ndaj opozitës. Më shumë se sa nga fragmentimi i përçarjes opozita pëson nga dështimi për të mobilizuar të gjithë spektrin opozitar dhe ai shkon përtej partive politike. Liderët opozitar thuajse bëjnë të pamundurën për të gjetur mënyra që të konfrontohen me segmentet tjera të opozitës që kanë qasje dhe mendim ndryshe nga ai i tyre për të sjellë ndryshimin. Në vend që të harxhohet energji për të ndërtuar koalicione të reja me shoqërinë civile, individ me influencë, ekspertë, profesor universitar ata kërkojnë me çdo kusht ti denigrojnë për t’i bërë më pak relevant në opinionin publik dhe kështu duke i alienuar i bëjnë shërbim BDI-së që vazhdoj të fitoj, rrjedhimisht të qeveris.
VIKTIMIZIMI DHE TË RINJTË
Opozita duhet të gjej lidhjen e saj me forcën e ndryshimit dhe forca e ndryshimit janë të rinjtë. Ajo duhet të flas me gjuhën e tyre, t’i adresoj problemet me të cilën ata përballen dhe të gjejë platformën e duhur për t’i kyçur në proceset politike dhe shoqërore, posaçërisht jashtë strukturave partiake. Të rinjtë nuk duan të ndjehen më si viktima por si aset shoqëror dhe opozita duhet të gjej formën për t’i siguruar ata që zyrat e partisë së tyre nuk do të jenë zyrat e reja për punësim në administratën publike.
Partitë opozitare mund të gjejnë të gjitha arsyetimet e botës për të arsyetuar humbjet e tyre, ato mund të vazhdojnë të bëhen të shurdhra ndaj kritikës, mundet asaj t’i përgjigjen me linçime publike nga aktivistët e tyre, mund të mundohen ta denigrojnë kritikuesin por nuk e ndryshojnë dot faktin që 20 vite me radhë janë duke dremitur jashtë pushtetit. Prandaj, ndryshimi ndoshta edhe mund të filloj kur opozita do të jetë më e hapur ndaj kritikave, të reflektojnë dhe të ndryshoj qasjen. Në fund të fundit, kritika ndaj opozitës është për të përmirësuar kritikën ndaj qeverisë dhe doemos për tu siguruar që qeverisja e tyre eventuale do të jetë më e mirë se kjo e tanishmja.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)