Disa njerëz nuk i mbajnë mend emrat e personave tjerë. Ata i ngatërrojnë shumëherë, saqë thonë shumë emra tjerë deri sa të arrijnë te i duhuri. Të harrosh emrat e miqve, familjarëve që nuk i takon shpesh, kushërirave të largët, ndodh shpesh por sipas ekspertëve kjo nuk paraqet ndonjë problem të madh. Arsyeja pse ndodh kjo është për shkak të stresit dhe kohës shumë të ngjeshur me punë e aktivitete të ndryshme. Duke harruar emrin e personit që ke përballë apo duke e ngatërruar me të vëllait apo dikujt tjetër nuk do të thotë se truri juaj e ka humbur këtë informacion, por thjesht ngarkesa e ka bërë këtë. Mirëpo, nëse harron emrat e personave që takohesh shpesh me ta, e qëndroni në shumicën e kohës bashkë atëherë ky është një problem tjetër dhe më serioz. Nëse kjo bëhet e përsëritur, zgjat në kohë dhe shoqërohet me gjëra të tjera, duhet parë sepse mund të jetë dhe paralajmërim apo shkak për ndonjë sëmundje. Tek diabetikët kjo ndodh më shpesh. Personi mund të mos e kuptojë, mund të ketë thjesht një gjendje konfuzioni, një gjendje harrese dhe duke bërë thjesht një glicemi mund të dalin shumë probleme tjera në shesh. Në këtë rast duhet konsultuar menjëherë me mjekun.