Në mungesë të shumicës së të akuzuarve në rastin e njohur si ‘Pronto’, nuk është mbajtur seanca e parë gjyqësore.
Ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ministri aktual i Inovacionit, Besim Beqaj, dhe deputeti i PDK-së Zenun Pajaziti nuk u paraqitën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton KTV.
Prezent në gjykatë nuk ishin as katër të akuzuarit tjerë, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi, Nijazi Kryeziu e Fatmir Shurdhaj.
Gjykatësi i rastit, Shashivar Hoti, bëri të ditur se mbrojtësi i të akuzuarit Beqaj, avokati Besnik Berisha, paraprakisht ka kërkuar shtyrjen e seancës me arsyetimin se klienti i tij ka pasur të caktuar më herët një agjendë tjetër.
Kujtim Kerveshi, avokat i të akuzuarit Nijazi Kryeziu, ka thënë se akuzat për klientin e tij janë të pabazuara.
Shtyrje të seancës kishte kërkuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Grabovci, avokati Florent Latifaj si dhe e akuzuara Arbenita Pajaziti, të dy me arsyetimin se gjenden jashtë vendit.
Prokurorja Drita Hajdari kërkoi nga gjykata që herën tjetër këta të akuzuar të sillen në gjykatë me anë të Policisë së Kosovës.
Në prill të këtij viti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë për këtë rast.
Seanca e radhës është shtyrë për datën 15 nëntor.