Tiranë, 14 maj – Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila është në pushtet dhe është në krye të koalicionit Aleanca për Shqipëri Evropiane, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e parashtroi listën zyrtare me kandidatët e saj për kryetarë komune në 61 komuna në vend në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Ky hap është argument se lideri i socialistëve dhe kryeministri aktual Edi Rama nuk ndryshon qëndrimin se zgjedhjet lokale “me ose pa opozitën” do të mbahen më 30 qershor, edhe përkundër kërkesës së partive opozitare për shtyrjen e zgjedhjeve dhe kanosjen se “me çdo çmim do të pengojnë procesin zgjedhor”, transmeton KOHA.
Midis kandidatëve të socialistëve është edhe maqedonasi Pali Kolevski, i cili do të jetë në garën për kryetar komune të Pustecit. Ai ka lindur në Pustec, por me familjen jetojnë në Korçë dhe është i punësuar në Drejtorinë e Doganës të Shqipërisë, si doganier.
Për mandat të dytë do të luftojnë madje 23 kryetarë aktualë të komunave, midis të cilëve edhe i pari i Tiranës, Erjon Veliaj, si dhe pesë deputetë aktualë.
Afati për paraqitjen e listave të kandidatëve në KQZ përfundoi mbrëmë në mesnatë.
Afatin e respektoi edhe Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian, e cila në këto zgjedhje do të jetë e pavarur, me Edmond Temelkon si kandidat për kryetar të Komunës së Pustecit. (koha.mk)