Provimet do të mund të zhvillohen edhe me pjesëmarrje fizike në fakultet!

13

Shkup, 22 maj – Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka informuar se studentët do të kenë mundësi që krahas organizimit të mësimit në distancë,  do të mund të organizohet edhe realizimi i programeve studimore dhe vlerësimi i njohurive me pjesëmarrjen fizike të studentëve dhe profesorëve dhe, njëherësh, përmes prezencës fizike të të punësuarve mund të realizohet puna e Shërbimit profesional.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot e plotësoi Dekretin me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për arsimin e lartë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Ndryshimet e Dekretit parashikojnë që secili institucion i arsimit të lartë ku ekziston mundësi për aplikim të plotë të protokollit tashmë të përgatitur për organizimin e provimeve në institucionet e arsimit të lartë, krahas organizimit të mësimit në distancë, duke aplikuar mjete të komunikimit elektronik, do të mund të organizohet edhe realizimi i programeve studimore dhe vlerësimi i njohurive me pjesëmarrjen fizike të studentëve dhe profesorëve dhe, njëherësh, përmes prezencës fizike të të punësuarve mund të realizohet puna e Shërbimit profesional.

Kjo nënkupton se institucioni i arsimit të lartë, në ndërkohë, mund të organizojë edhe ligjërata, ushtrime, të zbatojë forma të vazhdueshme të kontrollimit të njohurive, mësimin individual dhe format e tjera që janë adekuate për specifikën e sferës mësimore-shkencore dhe artistike, si dhe mund të organizojë mësim konsultativ-instruktiv, punë individuale studimore (hulumtimi i literaturës, punime seminari, punë projektuese), provime dhe kolokfiume, si dhe mbrojtje të punimeve të diplomës, magjistraturës dhe doktoraturës në ambientet e institucionit. Kuptohet, e gjithë kjo duhet të jetë në përputhje me protokollin dhe masat e shqiptuara deri më tani për mbrojtje nga virusi Korona COVID 19.

Dalëngadalë, por sigurt, sistemi edukativo-arsimor në vend vjen duke iu kthyer normalitetit dhe funksionimi i të njëjtit përshtatet me realitetin e ri. Punojmë në interes të të gjitha palëve të këtij segmenti shoqëror – gjithsecili të mund të ushtrojë të drejtat e tij pa pengesa dhe t’i plotësojë detyrimet e veta.

Comments are closed.