Nga KSI kanë deklaruar se pasi është ulur shpërndarja e virusit korona, nuk ka nevojë të ndryshohet modeli i mësimdhënies në vend
Zenel MIFTARI
Shkup, 22 shtator – Sipas statistikave të fundit epidemiologjike nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), për 40 për qind është ulur shpërndarja e virusit korona në krahasim me dy javët e fundit të muajit gusht. Nga KSI kanë deklaruar se pasi që është ulur shpërndarja e virusit korona, nuk ka nevojë të ndryshohet modeli i mësimdhënies në vend. Analiza epidemiologjike e Institutit ka përfshirë qytetarët e rritur, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme dhe studentët. Nga moshat parashkollore dhe ata shkollore numri i të infektuarve është më i ulëti në krahasim me grupmoshat tjera. Sipas analizës, grupmoshat nga 0-9 vjeç janë vetëm afër katër për qind pozitivë me virusin korona.
Për shkak këtyre të dhënave dhe analizave, ministrja e Arsimit, Milla Carovska, ka deklaruar se për momentin nuk ka nevojë të ndryshohet modeli i mësimdhënies dhe nxënësit duhet të vazhdojnë të mësojnë me prezencë fizike në shkolla. “Ulja e numrit të të infektuarve të ri me virusin korona dhe mundësia e vogël për të infektuar në shkolla, le të kuptohet se nxënësit në shkolla janë të sigurt dhe për këtë arsyeje ata mund të vazhdojnë të shkojnë në shkollë”, ka shtuar ajo. Sipas saj, numri i personave që kanë rezultuar pozitiv në baza ditore me virusin korona lëviz nga 0.01 për qind deri në 0.03 për qind. “Por ne ende kemi më shumë se 240 mijë nxënës që ndjekin mësimin me prani fizike çdo ditë dhe këto shifra janë vërtet të ulëta”, përfundoi Carovska.
Ndërsa, Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, ka deklaruar se situata epidemiologjike në çerdhe është e qëndrueshme dhe përhapja e virusit korona është në numër shumët të vogël. “Vetëm 13 edukatorë dhe punonjës të tjerë në kopshte janë pozitivë në të gjithë vendin dhe vetëm nëntë fëmijë. Në shtatë ditët e kaluara, u krye një inspektim i jashtëzakonshëm dhe u konstatua se protokollet kundër virusit korona janë duke u respektuar”, u shpreh Shahpaska. Sipas saj, raporti i fundit i ISHP-së, tregon se masat kundër virusit korona janë duke u respektuar dhe se nuk është duke u përhapur virusi në kopshte. Ndryshe, numri i vdekjeve si shkak i virusit korona ka shkuar në 6.472, ndërsa numri i rasteve aktive është 12.786. Ndërkohë Shkupi vazhdon të jetë qyteti me më së shumti raste aktive me virusin korona me 5.761 pacientë të infektuar, e ndjekur nga Tetova me 994 pacientë të infektuar, e treta renditet Kumanova me 904 pacientë të infektuar, vazhdon Ohri me 667, Struga 638, Gostivar 525 dhe Strumica me 500. Qytetet tjera kanë më pak raste aktive me virusin korona. (koha.mk)