Për herë të parë në Maqedoni kryhet operacioni i vendosjes me sukses të protezës LPS rotacion hinge (Limb Preservation system) e cila ka për qëllim zëvendësimin e plotë të ekstremitetit, duke mundësuar kështu një jetë normale
Remzije BILALLI
Shkup, 24 tetor – “Kisha dhimbje të mëdha në këmbë. Nuk mundja të ecja për muaj të tërë, ndërsa dhimbjet ishin përhapur në tërë trupi. Në fakt nuk kisha një jetë normale për vite të tëra…isha në agoni. Edhe për kundrejt asaj se kisha kryer dy operacione në spitalet shtetërore, tumori të cilën e kisha në këmbë, më saktë në pjesën e gjurit përsëri kthehej. Isha e dëshpëruar dhe nuk e dija se a do të gjej shërim për këmbën time, përveç që nuk më funksiononte kjo këmbë, gjithashtu më shkaktonte dhimbje të mëdha të pa rezistueshme. Nuk haja, nuk pija, me një fjalë nuk mund të jetoja…” ishte këto fjalët me të cilat e përshkroi sado pak jetën e saj para operacionit pacientja nga Velesi e cila kreu operacionin në Klinikën “Zhan Mitrev” nga ku doli duke ecur dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Ekipi mjekësor i përbërë nga ortoped, në krye me d-r. Sasho Mladenovski, kirurg i ortopedisë kishin vërtetë një sfidë të rëndësishme por edhe të rrezikshme për të shpëtuar një jetë, me anë të shpëtimit të ekstremitetit të këmbës së majtë për një jetë normale në të ardhmen. Pas një operacioni të komplikuar disa orësh, ishte bërë heqja më e madhe e pjesës së femurit, me çka për herët të parë në vendin tonë u vendos me sukses proteza LPS rotacion hinge (Limb Preservation system) që nënkupton sistem modular të implantimit me anë të së cilës mund të ruhet ekstremiteti në tërësi dhe të funksionojë në mënyrë normale.
Mjeku Mladenovski shpjegoi se si kishte rrjedhur procesi, duke theksua se pacientja ishte dërguar tek ata nga Fondi shëndetësor të cilët u konsultuan me klinikat private për shërimin e saj. Ndërkaq reparti i ortopedisë nga klinika në fjalë pas operacioneve të mëdha që kishte kryer u paraqit për të pranuar këtë rast dhe më tej të vazhdojnë mjekimin e pacientes.
“Pacienti në fakt ishte diagnostifikuar me tumor qelizore gjigante të ashtit të femurit. Pacientja kishte kryer dy operacione paraprake mirëpo tumori vazhdonte të rritej duke e dëmtuar edhe më tepër femurin si dhe nyjen e pjesës së sipërme të këmbës, duke i shkaktuar asaj dhimbje të mëdha dhe të pa durueshme”, tha Mladenovski. Ai shtoi se me këtë operim për herë të parë në shtetin tonë u bë vendosja e këtij lloji të protezës (LPS rotacion hinge), që është një proces tejet i komplikuar dhe i përgjegjshëm.
“Bëhet fjalë për një sistem modular i cili përdoret tek defektet e ndryshme të ashtit, të shkaktuar nga procese destruktive të defektit neoplastik te nyjeve apo ashtit, tek njerëzit me gjendje pas frakturave apo me osteoporozë të theksuar, ose tek pacientët të cilët kanë nevojë për operacione shtesë tek të cilët më parë është bërë implantim në nyjet më të mëdha.
“Tek pacientja ku është kryer operacioni mungonte një e treta e femurit, ku më pas u bë vendosja e sistemit i cili plotëson pjesën e strukturës së humbur të këtij ashti. Përveç që plotëson strukturën e ashtit të humbur, plotëson edhe të gjitha ligamentet tjera të humbura të cilat hiqen gjatë largimit të tumorit nga ashti”, shpjegoi më tej mjeku Mladenovski. Pas operacionit të kryer me sukses pacientja u mbajt në spital për shtatë ditë me radhë me çka janë kryer dhe trajtimet tjera, si terapia fizikale. Pacientja ka filluar të ngritët në këmbë, mirëpo ekipi mjekësor i cili kujdeset theksoi se për gjashtë deri në tetë javë do të ketë rikuperim të plotë të këmbës dhe ajo do të jetë në gjendje të ecë pa asnjë problem duke i kryer të gjitha aktivitet e nevojshme.
Në kontrollin e parë pas qëndrimit të saj në shtëpi, pacientja ndihej shumë mirë dhe mund të ecte më të dy këmbët. Mjekët presin që për disa javë ajo të heq edhe mjetet ndihmëse për ecja dhe plotësisht me dy këmbë te filloj një jetë normale. (koha.mk)