Franca do të ndalojë një tip popullor implanti të gjoksit, i cili është lidhur me një formë të rrallë kanceri.
Lajmin e përcjell e përditshmja “Le Monde” dhe radioja publike franceze, që citojnë një letër të dërguar prodhuesve të këtyre implanteve nga autoritetet shëndetësore, shkruan Alsat M, transmeton gazeta Koha.
Në një vendim të cilësuar “historik”, Agjencia Kombëtare e Mjekësisë dhe Produkteve Shëndetësore të Francës, “ANSM” i ka njoftuar më 2 prill prodhuesit mbi planet e saj për të ndaluar “prodhimin, shpërndarjen, import-eksportin, promovimin dhe mbajtjen e implanteve me veshje poliuretani”.
Në letrën, të cilën “Le Monde” e publikoi në faqen e saj të internetit, agjencia përmend një “rrezik të rrallë, por serioz” të paraqitur nga implantet e lidhura me limfomën anaplastike me qeliza të mëdha (BIA-ALCL), një formë e rrallë e sëmundjes së kancerit.
“ANSM” e ka ndjekur ecurinë e mbajtëseve të protezave të gjirit që nga viti 2011. Shumica e 500 mijë femrave me implante silikoni në këtë vend mendohet të kenë ato me sipërfaqe më të ashpër, pasojë e veshjes prej poliuretani që përdoret për të shmangur rrëshqitjen jashtë pozicionit.
Franca ishte në qendër të një skandali të madh në vitin 2010, kur rezultoi se krijuesi i një marke popullore implantesh i kishte mbushur me një xhel silikoni të lirë industrial, i cili ishte më i rrezikshëm për përdorueset sesa silikoni mjekësor.