Shkup, 23 prill – Kriza politike në Maqedoni duket pa rrugëdalje nga pozicionet e palëkundura të partive politike edhe më shumë se katër muaj nga zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit. Paralelisht me këtë, tani dy muaj po zhvillohen edhe protesta jo vetëm në Shkup, por edhe në shumë qytete tjera nga një organizatë me emrin “Për Maqedoni të Bashkuar”. Kjo organizatë thotë se do të kundërshtojë me të gjitha format e mundshme formimin e institucioneve të reja nga LSDM-ja opozitare dhe partitë shqiptare, me arsyetimin se qeveria e re do të ketë për bazë deklaratën e përbashkët të partive shqiptare, të cilën e quajnë “Platformë të Tiranës”, me të cilën thotë se do të rrënohet karakteri unitar i shtetit. Tani kjo organizatë, sikur edhe VMRO-ja e Nikolla Gruevskit, ka dalë me një kërkesë të re, organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare, si mënyra më e mirë, siç thotë, për dalje nga kriza. Në zgjedhje, sipas saj, qytetarët do të deklarohen nëse e mbështesin ose jo programin e opozitës maqedonase që ka për bazë deklaratën e partive shqiptare, apo atë të VMRO-së që është për Maqedoni të bashkuar. “Do të ketë zgjedhje të reja, në të cilat qytetarët do të vendosin për të ardhmen e tyre. Strategjinë nuk do ta zbulojmë deri në fund. Pavarësisht kundërshtarëve të brendshëm dhe të jashtëm, ajo përmban pika taktike, teknike dhe operative për realizimin e tyre”, deklaron Bogdan Ilievski nga organizata “Për Maqedoni të Bashkuar”. Ai vlerëson se protestat që tani dy muaj po mbahen në shumë qytete të Maqedonisë, kanë dhënë rezultate dhe se zëri i tyre nuk do të ndalet, siç thotë ai, deri në braktisjen e “Platformës së Tiranës” nga ata që e sollën dhe e pranuan në Maqedoni. “Ju jeni dëshmitarë se vullneti jonë nuk thyhet dhe askush nuk do të mund të na gjunjëzojë që të luftojmë deri në fund. Ne deri tani ia kemi arritur qëllimit, nuk kemi lejuar që të formohet Qeveria e Tiranës, ndërsa kemi pamundësuar edhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Këtë do ta bëjmë derisa ata nuk heqin dorë nga platforma që rrënon themelet e shtetit maqedonas”, tha Ilievski në tubimin e organizuar mbrëmë para Kuvendit të Maqedonisë. (koha.mk)