Protestuesit libanezë kanë shpallur ditën e sotme si “Ditë të tërbimit”, duke bllokuar rrugët kryesore në kryeqytetin Bejrut dhe në të gjithë vendin, në shenjë protestë kundër ngërçit politik dhe përkeqësimit të situatës ekonomike, njoftoi DPA.
“Ne po bllokojmë të gjitha rrugët për të treguar zemërimin e njerëzve”, tha një protestues para hyrjes në qytetin e Bejrutit.
Protestat po mbahen derisa paundi libanez vazhdon rënien dramatike ndaj dollarit, duke çuar në rritje spirale të çmimeve të ushqimeve.
Paundi libanez gjatë fundjavës në tregun e zi u shkëmbye 10.500 paund për një dollarë, për herë të parë që nga viti 2019 kur protestuesit dolën në rrugë për të protestuar ndaj klasës së korruptuar sunduese të vendit.
“Ky është alarm për të gjithë liderët libanezë se një shpërthim shoqëror po ndodh në Liban”, tha një tjetër protestues.
Rrugët që lidhin Bejrutin me veriun dhe jugun e Libanit janë bllokuar gjithashtu nga protestues të zemëruar, thanë dëshmitarët.
Disa protestues u kanë bërë thirrje njerëzve në rrjetet sociale që të lënë shtëpitë e tyre dhe të dalin në rrugë për t’u bashkuar për të shpëtuar Libanin nga kolapsi i plotë ekonomik dhe social.
Libani ka qenë pa qeveri që nga 10 gushti i vitit të kaluar pasi kryeministri Hasan Diab dha dorëheqjen, disa ditë pasi shpërthimit të fuqishëm që goditi portin e Bejrutit. Diab ka qenë në detyrë që nga ajo kohë, ndërsa veterani politik libanez kryeministri i caktuar Sad Hariri nuk ka qenë në gjendje të formojë kabinet të ri që nga tetori për shkak të ndarjeve politike midis fraksioneve rivale.