Protestuesit detyrojnë Vuçiqin të dalë nga dera anësore e RTS-së

Qindra protestues të opozitës serbe kanë bllokuar hyrjen kryesore të ndërtesës së transmetuesit shtetëror RTS, duke detyruar presidentin serb që të dalë nga një derë anësore.

Aleksandar Vuçiç arriti të shmanget nga protestuesit e zemëruar të cilët pretendojnë se ekziston një kontroll i madh qeveritar mbi mediat serbe.

Protesta ndodhi teksa Vuçiç po jepte një intervistë drejtpërdrejtë në RTS, televizion i cili akuzohet nga protestuesit se i lejoi presidentit të vë në skenë paraqitjet e tij pompoze, por jo vetëm kaq. Shumë gazetarë thonë se pikërisht RTS ia mundëson atij të shmangë pyetjet e vështira.

Shumë media në Serbi kanë shpallur falimentimin si pasojë e dobësimit të shtëpive të pavarura mediatike dhe televizioneve lokale.

Përkrahja ndaj tij nuk ka rënë vetëm në media. Shumica e partive të opozitës thonë se do të bojkotojnë zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm pasi sipas tyre, nuk ka një ambient të barabartë për fushatën.

Aleanca për Serbinë, një grupim i partive dhe lëvizjeve politike të opozitës, kanë organizuar mitingje të përjavshme për gati një vit për të protestuar kundër sundimit të Partisë Progresive të Vuçiçit, për të cilën ata thonë se është autokrate, korruptive dhe ngulfatëse e lirive dhe demokracisë së mediave.

Sivjet, Serbia ka rënë më poshtë për 14 vende në Indeksin botëror të lirisë së shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin e 90-të nga 180 shtete.(koha.mk)