Shkup, 19 prill – Iniciativa qytetare “Drejtësi për Almirin” sot protestoi para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë ku përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federika Mogerini mbajti fjalim para deputetëve.
Visar Vishka, organizator i protestës tha se qëllimi i kësaj proteste është që t’ju tregojmë përfaqësuesve të Lartë se drejtësia në Maqedoni ka vdekur duke shtuar se edhe në Raportin e publikuar nga KE thuhet se duhet bërë hapa edhe më tej në gjyqësor. Vishka gjithashtu tha se se rasti i Almir Aliut nuk është trashëguar nga pushteti paraprak, por është prodhim i Qeverisë së re.
“Erdhëm ta pyesim Mogerinin edhe Hanin dhe Unionin Evropian a është kjo drejtësia me të cilën mburret Evropa, a është kjo drejtësi që duhet të merr nota pozitive nga KE edhe pse ne e dimë se që mundohen ta shesin si kristal të pastër edhe pse kishte në Raportin e tyre se në gjyqësi ka shumë punë për t’u bërë. Ne jemi këtu për të treguar se si qytetarë të Maqedonisë nuk jemi aspak të kënaqur dhe jo që nuk është bërë asnjë lëvizje para, por është bërë lëvizje prapa. Reformën e parë që e bëri kjo Qeveri ishte kryeprokurori i cili vazhdoi ta thyejë ligjin, vazhdoi te veprojë në mënyrë selektive. Evropën duhet ta bëjmë ne këtu, nuk shkojmë në Evropë dhe nuk duam të shkojmë, por ta bëjmë këtu. Nuk ndalim deri sa të fitojmë gjyqësi ashtu siç duhet”, tha Visar Vishka.
Qytetarët mbajtën në duar parulla përmes së cilave bënin thirrje për drejtësi për Almirin, pra rishqyrtim të lëndës, e cila ndryshoi nga vrasje, në aksident me pasojë vdekjen. Ndryshe, Boban Iliq, personi i akuzuar, u dënua me gjashtë vite burg, ndërsa me burg me kusht u dënuan edhe babai dhe dy të afërm tjerë të Almir Aliut.