Shkup, 22 mars – Para Gjykatës Penale në Shkup sot pasdite po mbahet protestë për shkak të shqiptimit të dënimit me burg për Abdulefeta Alimin, i cili ishte gjykuar me shtatë vite burg si një nga të akuzuarit për ndodhitë në Kuvend më 27 prill të vitit 2017.
Pjesëmarrësit në protestë të cilët u grumbulluan para përmendores së Skënderbeut pas çka erdhën para gjykatës, kanë të veshur fanella me fytyrën e Alimit dhe brohorisin parullat: “nuk ka drejtësi nuk ka qetësi”, “drejtësia nuk është treg”, “të shpëtosh njeri, nuk nënkupton të jesh terrorist”,…
Protestuesit i fishkëllyen emrat e deputetëve dhe një pjesë të të akuzuarve për 27 prillin, të cilët më vonë u përfshinë me Ligjin për amnisti.
“Kjo është padrejtësi e madhe. Le të mendojnë ata që kanë bërë këtë. Ai që ka shpëtuar dikë tani është në burg. Kjo është padrejtësi. Do të qëndrojmë në rrugë derisa Alimi të na bashkohet”, deklaroi një pjesëmarrës në protestë.
Protesta kaloi qetë, pa incidente. Trafiku në bulevardin para gjykatës ishte i bllokuar, ndërsa rreth ndërtesës kishte prani të përforcuar të policisë.
Abdulfeta Alimi, i cili ishte një nga dëshmitarët në gjykimin për sulmin ndaj Ziadin Selës, pohon se nuk ka marrë pjesë në dhunën në Kuvend më 27 prill por se ka ndihmuar që të shpëtohet dhe evakuohet lideri i Aleancës për Shqiptarët.
Prokurorja Villma Ruskoska, në një intervistë televizive tha se Sela nuk ishte shpëtuar nga Alimi por nga një prej protestuesve. Alimi, thotë Ruskoska, më 27 prill ishte përgjegjës për dyert e Kuvendit dhe nëse e kryente punën nuk do të kishte nevojë që askënd të shpëtojë.
Kundër dënimit me burg të Abulfeta Alimit publikisht u prononcua edhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela. (koha.mk)