Protesta kundër kazinove është përkrahur nga organizata joqeveritare, intelektualë, bashkësi fetare, bashkësi lokale jo vetëm të Komunës së Tetovës, si dhe shumë qytetarë, të cilët janë kundër hapjes së kazinove në qytetin e Tetovës
Urim HASIPI
Tetovë, 21 dhjetor – Zhvendosja e gjitha objekteve të lojërave të fatit në distancë tre kilometra nga çdo vendbanim, të hartohet Strategji nacionale për edukim mbi dëmet që shkakton bixhozi, deputetët të mos votojnë Ligjin e propozuar nga Ministria e Financave… ishin disa nga kërkesat e Lëvizjes Antibixhoz, kërksa të cilët u shpalosën në protestën e djeshme kundër kazinove në Tetovë.
“Kërkojmë nga deputetët që propozim-ligjin e Ministrisë së Financave ta ndryshojnë përmes amendamenteve që ne u kemi dërguar, me çka të gjitha objektet e lojërave të fatit të zhvendosen në distancë 3 kilometra nga çdo vendbanim. Nga profiti i bizneseve të lojërave të fatit të ndahen 5 për qind për të ndihmuar në rehabilitimin e viktimave të bixhozit, si dhe të hartohet Strategjia nacionale për edukim mbi dëmet shoqërore që shkakton bixhozi. Reagimi i qytetarëve do të jetë shumë i ashpër ndaj atyre që do të shkelin vullnetin e qytetarëve. Kushdo që do të guxojë të votojë atë ligj skandaloz, do të luajë bixhoz me fatin e tij dhe të partisë që përfaqëson”, tha Xhemal Abdiu nga Lëvizja Antibixhoz. Muftiu i muftinisë së Tetovës, Qani Nesimi, falënderoi të gjithë ata që kanë dalur të protestojnë, duke shtuar se kjo tregon se jemi në rrugë të drejtë. “Nga elementi i quajtur kazino, ne nuk kemi mundësi të lëvizim në asnjë sokak, në asnjë rrugë, ngado që të kthehemi na dominojnë kazinotë. Ne do të rrimë këtu dhe të krijojmë kushte që të mos lejojmë rininë që të na ikë, apo ata do ti fusim në borxhe, do ti sëmurim psikikisht dhe do të na ikin nga kjo vendlindje”, ka thënë Nesimi. Protesta është përkrahur edhe nga bashkësitë tjera fetare, respektivisht nga Kisha Ortodokse e Tetovës dhe Gostivarit.
“Kisha Ortodokse e Tetovës dhe Gostivarit e përkrah këtë iniciativë, sepse shumë të rinj e humbin shpirtin e tyre, shëndetin dhe perspektivën e tyre, duke luajtur bixhoz. Dikush u thotë ‘lojëra të fatit’, por unë nuk u them ashtu, sepse lumturia e vërtetë është të krijojë familje, të ketë vlera morale. Fati i shkurtër më pas sjell katastrofa dhe fatkeqësi të tjera”, tha prifti Aleksdandër Stojanovski.
Në ndërkohë, në protestë ishte edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila nënvizoi se Këshilli ka marrë vendim që komunat të kenë më shumë kompetenca në sferën e hapjes apo mbylljes së kazinove. “Edhe si nënkryetare e BDI-së, por edhe si kryetare e Tetovës, sot ishte një bashkëveprim i të dy bashkësive fetare, që unë mendoj se është një çështje që duhet të trajtohet më seriozisht. Mendoj se dhe brenda subjekteve tona kjo çështje duhet që të trajtohet me seriozitetin më të madh. Kemi kërkuar mbështetje më të madhe për vendimin tonë dhe propozimi i Komunës së Tetovës është më i gjerë se sa propozim-ligji, prandaj edhe ne insistojmë që sa më shumë pjesë nga propozimi ynë të jenë pjesë e Ligjit”, tha Arifi.
Protesta u përkrah edhe nga artistë dhe këngëtarë tetovarë, të cilët kanë ftuar që të gjithë ti thonë stop kësaj të keqe që i kanoset qytetit të Tetovës. Përndryshe, protesta kundër kazinove është përkrahur nga organizata joqeveritare, intelektualë, bashkësi fetare, bashkësi lokale jo vetëm të Komunës së Tetovës, si dhe shumë qytetarë, të cilët janë kundër hapjes së kazinove në qytetin e Tetovës. (koha.mk)