Prishtinë, 9 gusht – Nën moton “Stop për vrasjen e grave dhe vajzave”, aktivistët për të drejtat e njeriut, të organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RGK),të hënën, më 13 gusht, do të organizojnë protestë në Gjakovë pas vrasjes së një gruaje dhe vajzës së saj nëntë vjeçare, që ndodhi më datën 6 të këtij muaji, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Organizatorët e protestës bën thirrje për marsh, i cili do të mbahet në mesditë, nga stacioni policor deri te gjykata në Gjakovë, ku do të kërkohet përgjegjësi nga organet kompetente të cilat nuk i ndërmarrin masat që t’i parandalojnë dhunën dhe vrasjen e grave dhe vajzave.
“Kërkojmë t’i jepet fund dhunës dhe t’u themi të gjitha Institucioneve të Kosovës dhe shoqërisë kosovare kundërshtimin tonë me vetëm një fjali: Mjaft më me arsyetim!”, thuhet në thirrjen e organizatave qytetare.
Opinioni kosovar kërkon përgjegjësi nga institucionet të cilët nuk i mbrojnë gratë, edhe krahas asaj që ato në polici e paraqesin dhunën familjare. Në rastin e fundit, në Gjakovë, ku burri e ka vrarë gruan 40-të vjeçare dhe vajzën 9 vjeçare, deri tani e ndjera ka denoncuar në polici se bashkëshorti e ka kërcënuar se do t’i vrasë të dyja, edhe atë me sms-porosi. Policia kumtoi se pas denoncimit e ka kërkuar burrin që të bisedojë me të, por nuk ka arritur ta kontaktojë.