Shkup, 28 nëntor – Pas thirrjes së liderit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, pasdite para Gjykatës Penale po mbahet protestë për shkak të arrestimeve të sotme të deputetëve nga partia e tij për shkak të pjesëmarrjes në ngjarjet në Kuvend më 27 prill.
Në mesin e të pranishmëve në protestë janë edhe sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së Kristijan Mickovski, ish kryetari i Aerodromit Ivica Konevski, Sonja Tarçullovska, bashkëshortja e deputetit Johan Tarçullovski, aktori Toni Mihajllovski dhe ish drejtori i Arkivit të Maqedonisë Filip Petrovski.
Personat të cilat protestojnë janë në pllajën para Gjykatës, trafiku në bulevardin rreth Gjykatës është bllokuar, ndërsa hapësira është e siguruar nga policia.
Ish ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtor i Byrosë për Siguri Publike Mitko Çavkov dhe 35 persona të tjerë, në mesin e të cilëve deputetët Kërsto Mukoski, Zhaklina Peshevska, Sasho Vasilevski, Luben Arnaudov në mëngjesin e sotëm janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë Publike për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë” lidhur me ngjarjet në Kuvend më 27 prill të këtij viti.