Prishtinë, 6 janar – Qindra qytetarë shqiptarë protestuan sot në Gjakovë, në perëndim të Kosovës,me qëllim që t’i parandalojnë besimtarët nga Serbia ta vizitojnë manastirin e atjeshëm ortodoks me rastin e festës së Krishtlindjeve.
Protesta përfundoi pasi që drejtori i policisë rajonale, Ahmet Hasi informoi se besimtarët serbë nuk do të shkojnë në Gjakovë.
Protestuesit porositën se nuk kanë asgjë kundër besimtarëve ortodoksë, por kundër atyre që bëhen sikur janë besimtarë, ndërkaq për të cilët, siç thonë, e dinë se kanë kryer krime të rënda në qytetin e tyre në luftën e vitit 1998-1999.
“Ne, qytetarët e Gjakovës, nuk kemi problem me besimin e tyre as me të drejtën e tyre për pelegrinazh, siç e interpretojnë ata atë. Problemi është se mes tyre ka edhe persona, veprat e të cilëve i dimë gjatë luftës. Ata kanë emër dhe mbiemër. Por, ne jemi dëshmitarë se të njejtët as nuk janë nën hetime, as po gjykohen, as ndëshkohen për ato krime. Në këto rrethana kur heshtja institucionale vendosë kripë në plagët tona, vizita e tyre në qytetin të cilin e mbytën në gjak dhe e shkatërruan nga themeli paraqet provokim”, thuhet në thirrjen për protestën e sotme.
Protestuesit në dyert e manastirit ortodoks vendosën baner me emrat e serbëve për të cilët pohojnë se kanë kryer krime të luftës, si dhe porosinë “Gjakova nuk harron”.