Shkup, 8 dhjetor – Trupi koordinues solli vendim që protestat nga udhëkryqi te Kryqi i Kuq dhe qendra tregtare “Mavrovasja” të dislokohen nesër në orën 10 para barakave të Qytetit të Shkupit në bulevardin “Ilindenska” i cili do të bllokohet në të gjitha katër korsitë, në shtrirjen prej prapa Qeverisë drejt Karposhit deri te “Alumina”, informoi sot në konferencë për media Kemal Muriq nga “Slloboda prevoz”.
“Kishim koordinim me trupin koordinues të transportuesve privatë. Pas konferencës së djeshme për media në Qytetin e Shkupit, një debakli të tillë, një turpi dhe skandali të tillë që është bërë, gjithnjë e më shumë po dalin në dritë argumentet se kush është fajtori kryesor për këtë situatë, kush është fajtori kryesor që qytetarët e Qytetit të Shkupit as fajtor e as borxhlinj të përballojnë gjithë këtë, kush është fajtori kryesor që nuk paguhemi, kush është fajtori kryesor për kaosin në komunikacion? Është drejtpërdrejt administrata e qytetit, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Gjithnjë e më shumë revolta jonë drejtohet dhe fokusohet në administratën e Qytetit të Shkupit”, tha Muriq.
Ai paradite në një deklaratë për mediat konfirmoi se mbeten në qëndrimin që asnjë transportues të mos paraqitet në shpalljen e publikuar nga ana e Qytetit të Shkupit, duke theksuar se kjo është vetëm përpjekje për përçarje të unitetit të transportuesve privatë. Transportuesit privatë kërkojnë nga Qyteti i Shkupit që të shlyhet borxhi për të dyja kompanitë i cili në tërësi është më shumë se 90 milionë denarë, sepse, siç thonë, nuk kanë mjete për funksionim të mëtutjeshëm për shkak të mungesës së mjeteve.