“Studentët që nga 2014 protestojnë kundër Ligjit për arsimin e lartë. Protestat e mëparshme janë organizuar nga Lëvizja për Universitetin, kurse protesta e tanishme kanë qenë spontane nga ana e studentëve. Studentët janë të vendosur që të vazhdojnë të protestojnë deri në përmbushje të kërkesave”, tha studenti Ismaili
Remzije BILALLI
Shkup, 10 dhjetor – Në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë për gjashtë ditë me radhë po zhvillohen protesta të studentëve, që kërkojnë shkurtimin e tarifave universitare. Ata kërkuan përmirësim të kushteve të studimit dhe jetesës, si dhe pjesëmarrje në institucionet menaxhuese të universiteteve. Dhjetëra studentë kanë nisur marshimin ditën e sotme me thirrje të shumta dhe pankarta në duar, ndryshe nga ditët e tjera ata kanë marrë edhe një libër me vete. Mirëpo sot disa studentë janë shfaqur të maskuar. Këtë veprim tyrin ata e shpjegojnë si një ruajtje të identitetit të tyre, pasi ngrenë pretendimet se janë kërcënuar deri edhe me jetë.
Studenti Irdi Ismaili nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale, për gazetën KOHA tregon se problemet kanë filluar në vitin 2013 kur nga opozita e sotme u propozua Ligji i arsimit të lartë dhe vazhdoi në 2015 kur nga qeveria e sotme u miratua ky ligj i cili i konsideron studentët si klientë. “Studentët që nga 2014 protestojnë kundër Ligjit për arsimin e lartë. Protestat e mëparshme janë organizuar nga Lëvizja për Universitetin, kurse protesta e tanishme kanë qenë spontane nga ana e studentëve. Studentët janë të vendosur që të vazhdojnë të protestojnë deri në përmbushje të kërkesave”, tha studenti Ismaili.
Por, nga ana tjetër, pedagogu i UBT-së, Leons Hasani për gazetën KOHA theksoi se ky problem është plot 28 vite që studentët në Shqipëri përballen me problematika ekzistenciale. Një kalavar i gjatë vuajtjesh, lodhjesh dhe përçmimi që ka rënduar mbi kurriz e mijëra studentëve në gati 3 dekada. Për Hasanin, problem më i madh i studentëve është mungesa dhe respektimi i të drejtave të studentëve, pa fituar këto të drejta jo vetëm studentët, por e gjithë shoqëria shqiptare ka për ngelur peng i mos zhvillimit dhe antiintelektualizmit.
“Sistemi arsimor Shqiptar, ka qenë dhe vazhdon të mbetet një sistem që i edukon nxënësit dhe studentët në mënyrë të gabuar. Ky sistem nuk nxit mendimin kreativ dhe kritik, por bënë të kundërtën, i detyron ata të kthehen në njerëz të robotizuar që vetëm riprodhojnë, recitojnë, ose mësojnë përmendësh. Kjo është arsyeja e mos reagimit të studentëve qoftë për problematikat që lidhen me universitetin, por edhe me institucionet qeveritare”, tha Hasani.
Protestën tentuan ta devijojnë disa qytetarë dhe student politikisht të orientuar mirëpo studentët theksuan se kjo protestë nuk ka prapavijë politike dhe nuk do të lejojnë të marrë kahje të tillë sepse emir i vetëm i kësaj proteste janë STUDENTET. Në protestë janë përfshirë edhe qytetet tjera si Durrësi, Shkodra dhe pjesërisht edhe nga universitet private. Siç theksuan edhe studentët por edhe pedagogët ky është një problem që del përtej ministrisë si institucion që amortizon të gjitha problematikat e sistemit arsimor Shqiptar.
“Problemi qëndron tek prioritetet e qeverisë, a ka vullnet qeveria, por sigurisht edhe parlamenti të vendosin problematikat e studentëve dhe sistemit arsimor si prioritet strategjik për modernizimin e vendit. Ndërsa politikanët që kanë qeverisur për 28 vite duhet ti kërkojnë falje publike studentëve shqiptar për kostot ekstra që ju kanë shkaktuar nga shërbimet e munguara që duhej t’ja u siguronte qeveria dhe universiteti”, shtoi pedagogu Hasani.
Studentet duhet të bëhen një grup akoma dhe më i fuqishëm interesi, përtej bindjeve politike që studentët mund të kenë, përtej inateve dhe ndasive, sepse ka ardhur koha që studentët të kuptojnë se ka shumë kauza që i bashkojnë sesa i ndajnë nga njëri-tjetri. Studentët gjithashtu shtuan se protesta duhet të vazhdojë nëse kërkesat nuk plotësohen dhe duhet të përdorin të gjitha mekanizmat për të arritur fitoren e tyre. Kjo do të jetë fitorja e studentëve, jo e partive politik.