Paris, 3 dhjetor – Presidenti francez Emanuel Makron po përballet me krizën më serioze politike në vend që nga ardhja e tij në pushtet në maj të vitit 2017, e shkaktuar nga protestat e “jelekëve të verdhë”, që filluan si pasojë e pakënaqësisë nga çmimet e larta të naftës.
“Nju-Jork tajms” vlerëson se pas kthimit nga Samiti i G-20, që të premten dhe të shtunën u mbajt në Argjentinë, Makron e gjeti Francën në konfuzion dhe zhgënjim pas protestave të dhunshme të “jelekëve të verdhë”.
Me qëllim që të kontribuojë për uljen e tensioneve, Makron e urdhëroi kryeministrin Eduard Filip që të bisedojë me pjesëtarët e protestuesve, por edhe me liderët e partive opozitare, që të gjendet zgjidhje për dalje nga kriza.
“Fajneshëll tajm” vlerëson se protestat antiqeveritare përgjatë Francës shkaktuan shok në Paris dhe e detyruan Makronin për aksion urgjent për dalje nga kriza, i cili gjatë fundjavës madje thirri seancë të jashtëzakonshme qeveritare dedikuar protestave.
Protestat e lëvizjes “jelekët e verdhë” gjatë dy ditëve të kaluara, ishin fundjava e tretë me radhë e dhunës në Francë që nga fillimi i tubimeve kundër çmimeve të larta të naftës. Lëvizja filloi spontanisht si tubime të organizuara përmes rrjeteve sociale, por kaloi në protesta masive kundër reformave ekonomike të Makronit, të cilat për momentin nuk dhanë rezultate të pritshme.
Makron paraprakisht pohonte se asnjëherë nuk do të dalë para protestave rrugore, nuk do të frikohet dhe nuk do të heq dorë nga projekti i tij probiznes për transformimin e Francës dhe menaxhimin me papunësinë masive dhjetëvjeçare dhe rritjen e ngadalshme ekonomike.
Por, protestat e përditshme dhe pakënaqësia e rritur e popullatës e detyruan Makronin që të pranojë bisedime me “jelekët e verdhë” dhe t’i shqyrtojë kërkesat e tyre.
Makron dëshiron ta paraqesë vetveten si lider progresiv i cili do të kryesojë luftën kundër nacionalizimit dhe populizmit në Evropë, por, siç vlerëson “Gardian”, këtë nuk do ta ketë të lehtë përderisa në Paris digjen barrikada, ndërsa protestuesit Qeverinë e tij e vlerësojnë si “elitë arrogante”.
Problemet për Makronin qëndrojnë në atë që u tregua si i papërgatitur për protesta të tilla, të cilat filluan si reflektim spontan i pakënaqësisë, por kanë kaluar në tubime pas të cilave qëndruan liderët politikë, sindikatat dhe partitë politike.
Qeveria franceze nuk e parashikoi këtë trazirë qytetare, që mund të tregohet si kapsulë iniciative për nxitjen e zemërimit të opinionit nga tatimet e larta dhe shpenzimet e mëdha shtetërore.
“Gardian” vlerëson se shpresa e vetme e Makronit për ndalimin e dhunës së re është që të qetësojë protestat dhe pakënaqësinë qytetare, duke propozuar zgjidhje konkrete.
Sipas policisë franceze, në protestat gjatë fundjavës janë lënduar 133 persona, prej të cilëve 23 policë dhe janë djegur gjashtë ndërtesa, 130 barrikada dhe 112 automobila. Policia në paraburgim mbajti 378 persona, prej të cilëve 33 minoren.