Protesta të reja në Lubjanë kundër Qeverisë së Janez Janshës

15

Lubjanë, 22 maj – Disa mijëra njerëz me biçikleta protestuan vonë pasdite në Lubjanë kundër qeverisë së koalicionit të qendrës së djathtë të kryeministrit Janez Jansha. Organizatorët kërkojnë qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.

Protesta të ngjashme po zhvillohen në Maribor dhe Celje.

Është protesta e katërt e tillë në Slloveni, me moton “Ju nuk do ta merrni lirinë tonë”, të organizuar nga nisma të ndryshme. Por sipas agjencisë sllovene të lajmeve STA, kjo është hera e parë që janë mbledhur thirrje me shkrim për dorëheqjen e Qeverisë.

Protestuesit, të cilët për shkak të ndalesës nuk qëndrojnë në një vend, i ngasin biçikletat në rrathë rreth pjesës qendrore të Lubjanës. Policia sllovene vendosi një gardh mbrojtës rreth Parlamentit përpara protestave të sontme antiqeveritare, raporton korrespodenti i MIA-s nga Lubjana. Protestuesit gjithashtu nuk janë të kënaqur me vendimin e autoriteteve, pasi një pjesë e hapësirës publike është uzurpuar nga gardhi.

Protestuesit vlerësojnë se masat e qeverisë gjatë epidemisë ishin të tepërta dhe se ajo ka mbuluar veprime korruptive dhe jodemokratike të ndërmarra nga qeveria në fillim të mandatit, duke i justifikuar ato me vetë epideminë.

Për një muaj, çdo të premte, mijëra qytetarë me marsh biçikletash në qendrën e qytetit e shprehin pakënaqësinë e tyre për punën e Qeverisë së drejtuar nga Janez Jansha, e cila erdhi në pushtet më 13 mars të këtij viti.

E gjitha filloi me lajmet për sjelljen e dyshuar korruptive të Ministrit të Ekonomisë Zdravko Poçivalshek për blerjen e pajisjeve mbrojtëse, nga i cili po kërkohet dorëheqje. Protestuesit janë të organizuar përmes mediave sociale dhe organizatave joqeveritare dhe thonë se nuk duan që partitë politike dhe anëtarët e tyre të marrin pjesë në protesta.

Ndërkohë, këtë pasdite, një grup i vogël i motoçiklistëve në Ljubjanë shprehu mbështetjen për Qeverinë.  Sipas mediave lokale, SDS në pushtet po organizon gjithashtu një kundër-protestë të saj.

Comments are closed.