Protesta të reja kundër çmimit të rrymës elektrike

54

Organizatorët e protestave për ditën e premte pasdite kanë paralajmëruar protesta në shumë qytete të vendit kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Ata thonë se kësaj radhe protestat do të jenë në mbrëmje – diku rreth orës 19.00, dhe nuk do të jetë protestë spontane, por do të ketë edhe marsh nëpër rrugët e qyteteve

Urim HASIPI

Tetovë, 13 gusht – Për ditën e premte janë paralajmëruar protesta të reja kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Ashtu siç është duke u rritur mbështetja për protestuesit, poashtu janë duke u rritur edhe kërkesat e organizatorëve. Sipas tyre, qëllimi i protestave është që Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRrE) të mbrojë interesin e konsumatorëve dhe jo të kompanisë që bën distribuimin e rrymës. “Duhet që ky komision të jetë i pavarur dhe të mos lejojë shumë gjëra që kanë ndodhur në të kaluarën. Ka qytetarë që me vite nuk paguajnë dhe nuk shkyçen nga rrjeti i rrymës elektrike. Kurse ka qytetarë për dy fatura të papaguara, shkyçen nga rrjeti. Këto gjëra apo padrejtësi duhet të marrin fund”, tha Arjanit Xhaferi nga Këshilli organizativ i protestave. Ai thotë se ka indikacione se pikërisht faturat e papaguara nga disa persona i paguajnë qytetarët që rregullisht i paguajnë faturat e rrymës elektrike dhe kjo duhet të merr fund si dukuri.

Organizatorët e protestave kërkojnë që të anulohet vendimi për rritjen e rrymës elektrike dhe për shkak të pandemisë – të ulet edhe çmimi aktual. Ai ka akuzuar se humbjet që thuhet se pëson kompania nga faturat e papaguara, sërish paguhen nga qytetarë tjerë. “Qeveria duhet të gjejë zgjidhje, sepse pikërisht qytetarët dëmtohen nga ky trup rregullator që sipas Qeverisë, është i pavarur. Atëherë në këtë rast kush i mbron qytetarët, sepse ata janë më të dëmtuar pasi askush nuk merr përgjegjësi kur ka rritje të çmimit të energjisë elektrike”, deklaroi Xhaferi. Sipas tij, duhet që të krijohet një trup i pavarur i komisionit rregullator për energjetikë, i cili do të mbrojë interesat e konsumatorëve dhe njëkohësisht do të kontrollojë kualitetin e shërbimeve.

Nga Këshilli organizativ theksojnë se janë duke punuar që edhe qytetet tjera të dalin në protesta dhe jo vetëm qytetarët e Maqedonisë Perëndimore. Sipas tij, para protestës do të ketë takime të tjera që më në fund të aktivizohen edhe qytetet tjera. Xhaferi shprehet se kërkesat nuk do të jenë të kufizuara, sepse ka shumë ankesa të ndryshme, prandaj do të duhet që të konceptohen edhe kërkesat në mënyrë që të gjitha ankesat dhe problemet të inkorporohen në kërkesat që do të adresohen gjatë protestës. “Ka shumë qytetarë që edhe kur kanë probleme ose parashtresa, nuk kanë se ku ti adresojnë. Kjo duhet të merr fund dhe të gjendet zgjidhje, sepse kur shkelen të drejtat, duhet që dikush të merret me këto padrejtësi që bëhen”, nënvizon ai. Organizatorët e protestave për ditën e premte pasdite kanë paralajmëruar protesta në shumë qytete të vendit kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Ata thonë se kësaj radhe protestat do të jenë në mbrëmje – diku rreth orës 19.00, dhe nuk do të jetë protestë spontane, por do të ketë edhe marsh nëpër rrugët e qyteteve. Një nga kërkesat bazë e protestuesve është të ulet çmimi rrymës elektrike, ndërsa për këtë vendos komisioni rregullator për energjetikë, kurse pikërisht kërkesa është që ky komision të shfuqizohet dhe të ketë një komision të ri. (koha.mk)

Comments are closed.