Tetovë, 17 janar – Lëvizja Eco Guerilla ka dalur me një pres konferencë lidhur me ndotjen në rajonin e Tetovës dhe më gjerë ku sipas kësaj lëvizje ndotja është dukshëm më e vogël se në kohën kur ka punuar kombinati Jugohrom.Arjanit Xhaferi, kryetar i kësaj lëvizje, tha se në Tetovë në vitin 2016 katër muaj pasi që është ndërprerë puna e Jugohromit ndotja është në nivelin 97, krahasuar me vitin paraprake diku 50 për qind më pak, se në kohën kur ka punuar Jugohrom. “Përfundimisht është shumë e qartë që ajri pa Jugohromin është më pak i ndotur në sasi të konsiderueshme, prandaj po theksojmë se kërkesa e menaxhmentit të Jugohromit që kombinati të rifillojë punën pa vendosur filtrat është kërkesë e kundërligjshme, dhe si e tillë është e papranueshme dhe e rrezikshme. Numrat flasin mbi gjithçka, janë matjet zyrtare të Ministrisë së Mjedisit. Nga këtu, shprehim përkrahje për vendosmërinë e Inspektoratit dhe Ministrisë së Mjedisit të mos bien pre e taktizimeve që vite me radhë bëhen nga udhëheqësia e Jugohromit. Po ashtu duam që ti dërgojmë një mesazh dhe Qeverisë se më me rëndësi është shëndeti i fëmijëve tanë, i brezave të ardhshëm, shëndeti i qindra mijëra banorëve të Tetovës me rrethinë. Numri i kancereve kohët e fundit shënon një rritje marramendëse në Maqedoni. Asnjë interes nuk është më i rëndësishëm se shëndeti i qindra mijëra qytetarëve që detyrohen çdo ditë të thithin në ajër 30 tonë pluhur të Jugohromit pa filtra”, tha Xhaferi. Më tej nga kjo Lëvizja theksuan se kërkesa e menaxhmentit për të rifilluar me punë Jugohromi pa filtra është e papranueshme dhe e kundërligjshme.”Ne jemi të gatshëm që të shohim një Jugohrom me filtra dhe nëse i ka vendos le të hapet që nesër, por pa filtra është e papapranueshme. Kemi kërkuar që në vitin 2013 nga Qeveria, që t`ju bëhet një zgjidhje këtyre punëtorëve dhe kërkojmë me ngulm që qeveria të kujdeset për fatin e tyre. Fillimisht qeveria duhet të gjobisë kombinatin Jugohrom që nuk ka respektuar afatet për vendosjen e filtrave”, deklaroi ai. Sipas tij, numri i të sëmurëve me kancer shënon rritje marramendëse kohëve të fundit në Maqedoni. Janë diku 1200 raste të reja për çdo vit. Ai më tej ka njoftuar se nëse më 1 shkurt qeveria jep leje që Jugohrom të rifillon me punën do të dilet sërish në rrugë për të protestuar.