Ankara, 21 gusht – Rreth 30 persona përfshirë ish-pjesëtarë të forcave ajrore janë arrestuar sot në mbarë Turqinë nën dyshimet për lidhje me organizatën terroriste FETO, grupi që qëndron pas përpjekjes për grusht shtet të vitit 2016 në Turqi, bënë të ditur Agjencia Anadollu.
Policia ka zhvilluar operacione të njëkohshme në shtatë provinca përfshirë Stambollin, Izmirin dhe Dijarbakërin, duke kapur 15 të dyshuar të akuzuar për komunikim me anëtarët e FETO përmes një linje komunikimi organizative, thanë burimet që kërkuan të mbeten anonime, për shkak të kufizimeve për prononcim me mediat.
Bastisjet erdhën pasi prokurorët e Ankarasë lëshuan fletë-arrest për të dyshuarit, ndërkaq operacionet ende vazhdojnë.
Në një operacion të veçantë, pesë të dyshuar që akuzohen për përdorimin e aplikacionit të koduar të mesazheve, ByLock, u arrestuan në shtatë provinca sot pasi Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit lëshoi urdhër arrest për 15 të dyshuar.
Prokurorët lëshuan gjithashtu urdhër arresti për 21 të dyshuar si pjesë e hetimit në strukturën nëntokësore të FETO-s në universitetet e vendit.
Veçmas, prokurorët në provincën veriperëndimore Balëkesir në kuadër të hetimit për praninë e grupit terrorist në Forcat e Armatosura Turke lëshuan fletë-arrest për 11 të dyshuar, 8 prej tyre ishin ushtarë në detyrë.
Organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gylen, orkestruan grusht shtetin e dështuar të 15 korrikut 2016, në të cilin 251 njerëz u martirizuan dhe afro 2.200 të tjerë u plagosën.
FETO qëndron pas një fushate të gjatë për rrëzimin e shtetit përmes infiltrimit të ithtarëve të saj në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.