Protestuesit u përplasën mbrëmë me policinë në Barcelonë, ndërsa mijëra persona dolën nëpër rrugët e atij qyteti dhe qyteteve të tjera të Katalonjës për të shënuar njëvjetorin e referendumit të shumëkundërshtuar për pavarësinë e krahinës nga Spnaja. Më shumë se 180 mijë persona marshuan në Barcelonë. Qindra aktivistë bllokuan edhe shinat e trenave për disa orë. Rrugët dhe autostradat u bllokuan.
Policia filloi të përdorte shkopa gome për të shpërndarë një demonstratë që po zhvillohen para godinës së parlamentit katalanas. Në fund të protestave, u shënuan përplasjet mes forcave rajonale dhe separatsitët, ku këta të fundit goditën me gurë oficerët e policisë. Qindra protestues rrëzuan barrierat në hyrje të parlamentit rajonal, cka bëri që policia të përdorte shkopinj gome ndaj tyre. Protestat e njëvjetorit u organizuan nga Komitetet për Mbrojtjen e Republikës që po kërkojnë ndarje të pastër nga shtetit spanjoll. Grupet e këtyre komiteteve gjithashtu protestuan në qytete të tjera të botës, përfshi edhe Londrën dhe Parisin. Në tetor të vitit të shkuar, Katalonja mbajti një referendum për shkëputjen nga Spanja, dhe qeveria separatiste shpalli pavarësinë në datën 27 tetor. Por gjykata kushtetuese e Spnajës vendosi që referendumi ishte i paligjshëm, dhe Madridi vendosi sundimin e drejtpërdrejtë në Krahinë.