Sofje, 9 tetor – Qindra qytetarë mbrëmë protestuan në shumë qytete në Bullgari për shkak të vrasjes brutale të gazetares Viktoria Marinova në qytetin Ruse. Protestuesit mbanin transparentë me mbishkrime: “Nëse nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”, “Ryshfeti vret”… Prokurori shtetëror bullgar Sotir Kacarov dje deklaroi se autoritetet nuk kanë indikacione të reja për motivet për përdhunim dhe vrasje të Marinovas, duke paralajmëruar se në këtë fazë të hetimit duhet kujdes. Sipas tij, autoritetet i ndjekin të gjitha nivelet e hetimit për vrasjen e saj.
“Në këtë fazë duhet të jemi të kujdesshëm, jo sepse nuk kemi çka të themi, por sepse çdo fjalë e thënë në mënyrë jo të saktë mund ta rrezikojë punën tonë”, tha Kacarov. Ai shtoi se “një është e sigurt – sulmi ishte ekstrem brutal dhe jashtëzakonisht monstruoz”. Gazetarja hulumtuese bullgare Viktoria Marinova (30) të shtunën është rrahur brutalisht, është përdhunuar dhe mbytur në Ruse, në veri të Bullgarisë, ndërsa trupi i saj u gjet në një park në afërsi të lumin Danub. Marinova ishte gazetare dhe redaktore e televizionit bullgar TVN dhe raportonte për hetim për gjoja korrupsion lidhur me fondet e BE-së.