Në Beograd kanë filluar protestat e trembëdhjeta me moton “Një nga pesë milionë” kundër pushtetit aktual në krye me kryetarin e Serbisë Aleksandar Vucic.
Të tubuarve u është drejtuar deputetja e pavarur Marinka Tepic dhe Marija Lukic, ish-sekretare e kryetarit të komunës Brus Milutin Jelicicit, të cilin ajo dhe disa gra e akuzojnë për ngacmim seksual. Oraganizatorët kanë paralajmëruar se temë e kësaj proteste do të jetë “Rrugëve të rrenave të Aleksandar Vucicit”, dhe për këtë kanë përgatitur 100.000 etiketa me “rrenat” e kryetarit të shtetit, të cilat qytetarët do t’i ngjesin nëpër rrugët gjatë të cilave do të kalojnë gjatë shëtisë, bën të ditur N1.
Protestat në Beograd dhe qytete tjera të Serbisë po mbahen me moton “Një nga pesë milionët”, të nxitura nga deklarimet e presidentit serb vitin e kaluar, i cili kishte thënë se nuk do të përkulet ndaj asnjë kërkese edhe nëse kundër tij dalin pesë milionë persona.
Protestuesit po e akuzojnë Vucicin për shkeljen e lirive demokratike, shtypjen e kundërshtarëve politikë dhe kontrollimin e medieve. Megjithatë, ai i ka mohuar të gjitha këto akuza.