Barcelonë, 3 tetor – Në Barcelonë dhe qytete të tjera në rajonin spanjoll të Katalonjës në rrjedhë janë protesta masovike, për shkak të incidenteve dhe dhunës policore gjatë referendumit të së dielës për pavarësi. Demonstruesit marshojnë nëpër rrugën “Lajetana”, ku ndodhet selia e policisë spanjolle në Barcelonë dhe bëjnë thirrje për tërheqje të saj nga rajoni. Gjatë protestave përkohësisht ishin bllokuar edhe hyrjet e ndërtesës. Protestat filluan pasi që rreth 900 persona u lënduan në tentimet policore për të parandaluar votimin për pavarësi. Ministri spanjoll i Punëve të Brendshme, Huan Ignasio Zoido paralajmëroi se do t’i ndërmarrë “të gjitha masat e domosdoshme për ta parandaluar maltretimin e papranueshme” të forcave nacionale spanjolle të policisë, të cilët janë sistematizuar në Katalonjë. Para stacioneve policore dhe hoteleve ku janë të vendosur përforcimet policore, organizohen protesta, me të cilat kërkohet nga policët të largohen nga Katalonja. Disa nga pronarët e hoteleve vetë ua kanë anuluar rezervimet policëve spanjollë dhe kanë kërkuar prej tyre të tërhiqen nga rajoni. Njëkohësisht, nga rajoent e tjera të Spanjës vijnë njoftime se qytetarë me flamuj dhe muzikë i përcjellin policët të cilët largohen si përforcim në Katalonjë, duke kërkuar prej tyre që ta mbrojnë unitetin e Spanjës. Për shkak të problemeve me sigurimin e vendosjes së mjaftueshme, disa nga plicët spanjollë janë sistematizuar në anije të mëdha turistike të ngujuara në portin e Barcelonës. “Sot është ditë për demokracinë, protesta qytetare dhe të dinjitetshme. Mos lejoni t’u nënshtroheni provokimeve. Bota pa se ne jemi popull paqëdashës”, deklaroi kryetari i Qeverisë rajonale të Katalonjës, Karlos Puçdemon. Paralelisht me protestat, në Katalonjë sot po mbahet grevë e përgjithshme e të punësuarve në transportin publik, në një numër të madh të institucioneve dhe në fakultete, përderisa komunikacioni ndërkombëtar ajror dhe hekurudhor po zhvillohet në mënyrë të kufizuar. Të punësuarit në kompanitë private gjithashtu janë thirrë t’i bashkangjiten grevës, por vetëm një pjesë e tyre iu përgjigjën thirrjes. Ekipi i futbollit, Barcelona, gjithashtu paralajmëroi grevë.