Data e saktë e protestave akoma nuk është caktuar, por Emërllahu ka njoftuar se protestat do të jenë masive deri në arritjen e qëllimit që objektet e lojërave të fatit të jenë larg vendbanimeve
Urim HASIPI
Tetovë, 2 mars – Shumë shpejt pritet që para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të mbahen protesta nga Lëvizja Anti Bixhoz. Këtë e ka bërë të ditur për gazetën KOHA Jushi Emërllahu, përfaqësues i kësaj lëvizje, ndërsa thotë se protestat ishin paraparë të mbahen këtë periudhë, por ishin anuluar për shkak të protestave për rastin “Monstra”. Emërllahu ka bërë të ditur se tashmë barra kryesore bie mbi Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, respektivisht ndaj kryeministrit Zoran Zaev, i cili nuk ka mbajtur fjalët e dhëna se, derisa të sillet ligji, nuk do të lejohet hapja e objekteve të tjera të lojërave të fatit.
“Ne kemi patur një premtim dhe zotim nga kryeministri Zaev se nuk do të lejohet hapja e objekteve të reja të lojërave të fatit. Por, ka ndodhur e kundërta, sepse pothuajse çdo ditë hapen objekte të reja dhe askush nuk merr masa. Prandaj, tashmë faji kryesor për këtë situatë është mbi vet kryeministrin e vendit”, deklaroi Jushi Emërllahu nga Lëvizja Anti-Bixhoz. Ndërkohë, ai ka njoftuar se ka kërkuar takim me kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, me ministrin e Financave, Fatmir Besimi dhe kryeministrin Zaev për këtë çështje. “Ne u kemi dërguar kërkesë për takim kryeministrit Zaev, kryetarit të Parlamentit, Talat Xhaferi dhe ministrit të Financave, Fatmir Besimi. Deri më sot nuk kemi përgjigje për ndonjë takim eventual. Por, mendojmë se takimi më kryesor që duhet të realizohet është ai me kryeministrin. Pavarësisht se do të ketë takime apo jo, ne shumë shpejt do të dalim në protesta para Qeverisë për të shpalosur sërish kërkesat tona. Po ashtu, shpresojmë se kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi do të mbajë fjalën e dhënë se nuk do të nënshkruajë një ligj, i cili lejon hapjen e objekteve të fatit nën largësi prej njëmijë metrave nga vendbanimet”, thotë Emërllahu.
Sipas tij, tashmë Ministria e Financave ka përgatitur një ligj, i cili lejon ndërtimin e objekteve të lojërave të fatit në një largësi prej 500 metra nga vendbanimet, institucionet arsimore dhe objektet fetare. Kundër këtij ligji është kjo lëvizje, e cila thekson se kërkesa bazë është që këto objekte të mos jenë afër vendbanimeve më pak se tre kilometra. Deri më tani, kjo lëvizje ka organizuar disa herë protesta në Tetovë duke kundërshtuar këtë ligj. Partitë politike shqiptare kanë dhënë premtime se do të përkrahin kërkesat e kësaj lëvizje, por konkretisht nuk kanë vepruar. Data e saktë e protestave ende nuk dihet, por Emërllahu ka njoftuar se protestat do të jenë masive deri në arritjen e qëllimit që objektet e lojërave të fatit të jenë larg vendbanimeve. Nga kjo lëvizje kanë thënë për gazetën KOHA se situata në terren është shumë e rëndë, ngase çdo ditë janë duke u hapur objekte të kazinove nëpër vendbanimet shqiptare. (koha.mk)