Një protestë e pason gjithmonë një aksion i policisë për të rikthyer rendin, duke shoqëruar ata që zakonisht kthehen në individë të dhunshëm në një tubim, përcjellë gazeta KOHA.
Dhe protesta e Partisë Demokratike e aleatëve të saj opozitarë ka pasur të njëjtin fat, pasi deri më tani nga policia janë shoqëruar mbi 40 persona, që kanë kryer veprime të dhunshme ditën e djeshme në Tiranë.
Policia përveç kryeqytetit, gjatë gjithë natës ka kryer shoqërime në Lezhë, Fier e Durrës, ndërsa po kryen ende verifikime, duke shqyrtuar edhe pamjet e protestës, për të ndaluar personat që mësyn drejt Kryeministrisë.
Mbrëmjen e kaluar policia shoqëroi 20 protestues, disa prej të cilëve u arrestuan me akuzën për dhunimin e ambienteve publike. Uniformat blu kanë lëshuar 15 urdhër-arreste, 7 prej të cilave janë ekzekutuar.
Kujtojmë se aksioni i policisë për të ndaluar protestuesit e dhunshëm, shkaktoi tension në Drejtorinë e Tiranës mbrëmjen e djeshme, ku deputetë të PD u përplasën edhe fizikisht me forcat e rendit, teksa shkuan të takonin mbështetësit e tyre.
Deputetët demokratë kërkuan të takonin protestuesit brenda ambienteve të Drejtorisë së Policisë, por oficerët e policisë i ndaluan. Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, tha se pas pritjes për një orë, deputetët e opozitës hynë me forcë në katin e dytë të drejtorisë së policisë duke gjetur kupolën drejtuese “si derra të zhgërryer në uiski”.(koha.mk)