Protesta e opozitës, zbardhen detaje nga plani i masave të policisë

Burime për Top Channel bëjnë me dije se rreth 1500 efektivë policie janë angazhuar gjatë mbrëmjes së sotme, për të garantuar mbarëvajtjen e protestës së opozitës së bashkuar, që do të startojë në orën 18:00.

Precedentët e mëparshëm, kur protesta e forcave opozitare ka degjeneruar në akte dhune, por edhe raportimet në ditët e mëparshme, se elementë kriminalë mund të përfshihen për të krijuar destabilitet, kanë rritur angazhimin dhe gatishmërinë e forcave policore.

Krahas policisë së rendit, në mbarëvajtjen e protestës do të angazhohen edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ata të repartit Shqiponja. Gjithashtu raportohet se në ndihmë të policisë së Tiranës, kanë ardhur edhe efektivë të shumtë nga policitë e rretheve.

Sipas burimeve të Top Channel, ashtu si në protestën e 16 Shkurtit, kordoni i parë që do të përballet me protestuesit, është ai i Policisë së Rendit, ndërsa nuk pritet prezencë e efektiveve femra në këtë radhë.

Anash dhe pas kryeministrisë, janë pozicionuar edhe efektivë të forcave RENEA, të cilët mund të ndërhyjnë vetëm me urdhër të Drejtorit të Policisë. Gjithashtu, oficerë të antiterrorit do të kontrollojnë personat që dyshohen si elementë të rrezikshëm dhe punonjësit e Gardës së Republikës do të monitorojnë situatën me dylbi, nga tarracat e institucioneve.

Nuk do të mungojë as rrethimi metalik që i është bërë perimetrit të kryeministrisë që mbrëmjen e djeshme.