Tiranë, 26 maj – “Protesta kombëtare” e mbrëmshme e gjashta me radhë e opozitës së bashkuar shqiptare përfundoi me fjalimin e liderit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili tha se mesazhin që e kanë dhënë qytetarët është i qartë, se zgjidhja politike është largimi i Ramës.
Ai dha mesazh edhe deri tek aleatët ndërkombëtarë se opozita është e gatshme për çdo viktimë.
“Mesazhi i sotëm është i qartë dhe i prerë ndaj miqve dhe aleatëve tanë dhe ndaj kundërshtarëve dhe armiqve të demokracisë se ne jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë. Nuk do ta lejojmë kurrë despotizmin antievropian, të cilët kanë kapur drejtësinë dhe kanë bllokuar rrugëtimin tonë drejt Evropës. Sot japim këtë mesazh të qartë dhe të vendosur. Këtë betejë e nisëm për Shqipërinë si gjithë Evropa dhe tani është koha për zgjidhjen politike, largimin e Edi Ramës, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.
Theksoi se rezistencën dhe bashkimin e kanë filluar më 16 shkurt, se mbrëmë e arriti kulmin me pjesëmarrjen masive në tre dekadat e fundit dhe se vazhdon ende.
Përndryshe, protesta që zgjati rreth tre orë filloi para Qeverisë. Në fjalim Basha e akuzoi kryeministrin Edi Rama se me qëllimin për të shkuar në zgjedhje pa opozitën e “çon vendin drejt në konflikt civil”.
“Rama sakrifikon gjithçka për një qëllim të vetëm, e ai është pushteti i tij. Për shkak të kësaj arsye dëshiron ta çojë vendin drejt konfliktit të pashmangshëm qytetar. Por, le ta dijë se asnjëherë nuk do t’i përçajë as opozitën as shqiptarët”, ka thënë Basha.
Ai e valoi flamurin gjerman, që sipas analistëve politik do të thotë se i beson vetëm Gjermanisë në përpjekjet për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.
Turma brohorisnin “Rama shko”, “Shqipëria si tërë Evropa” dhe lëshoi të paktën 500 tullumbace në të cilat ishte shënuar “Rama shko”, por gjithçka kaloi qetë.
Pas fjalimit të Bashës, pjesëmarrësit me celularë të ndezur vazhduar drejt ndërtesës së Parlamentit. Por, atje për një moment situata u tensionua me hedhjen e mjeteve të forta dhe bombave të tymit dhe heqjen e rrethojës metalike. Pas përdorimit të topave të ujit nga ana e policisë dhe apelit të sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, situata u qetësua.
Megjithatë, kjo protestë e opozitës mund të vlerësohet si më e qeta deri më tani. Në protestat paraprake ka pasur përdorim të gazit lotsjellës, hedhjes së koktej molotovit ndaj Qeverisë dhe Parlamentit, thyerje të dritareve ndaj institucioneve shtetërore, policë të lënduar, protestues të arrestuar…