Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të mbledhë sot në orën 10:00 aleatët parlamentarë për të përcaktuar datën e protestës. Mësohet se në takim Basha ka thirrur edhe kreun e Partisë Agrare Ambjentaliste Agron Duka. Opozita do të nisë protestat ditën e rifillimit të punimeve të parlamentit të Shqipërisë, 15 janar 2018. Pikërisht për të koordinuar veprimet kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zhvilluar mbrëmjen e së dielës (7 janar 2018) një takim me kreun e PD-së Lulzim Basha në selinë e Partisë Demokratike.
Për rreth një orë palët mësohet se kanë diskutuar mbi qëndrimet që do të mbajnë ndërsa mësohet se në tryezën e bisedimeve ka qenë dhe kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili,dy nënkryetarët e PD-së Edmond Spaho dhe Edi Paloka, Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani dhe Sekretari Organizativ Eno Bozdo. Burimet bëjnë me dije se dy forcat politike si PD dhe LSI kanë programuar takime në rrethe deri në 12 janar. Po ashtu edhe në kampin e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë nisur përgatitjet, ndërsa degët janë udhëzuar që të marrin masa për pjesëmarrje masive. (shqip)