Fenomen i heshtur në RMV është se prostitucioni po përfshin vajzat e mitura. Analizat e sociologëve flasin për shifra më të larta në krahasim me statistikat të cilat i siguruam nga MPB. Sipas sociologëve statusi socio-ekonomik është katalizator kryesor i kësaj dukurie
Remzije BILALLI
Shkup, 25 shtator – Tani më është fshehtësi publike se për çmime të caktuara vajzat e mitura janë të detyruara ta ushtrojnë ‘zanatin’ e prostitucionit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kjo shpesh herë vjen si rezultat i mungesës financiare apo kërcënimeve nga rrjetet e prostitucionit ndaj adoleshenteve të ndryshme, të cilat kanë frikë ti denoncojnë rastet e tilla në polici, shkruan gazeta KOHA.
Rast i fundit i tillë ishte pak ditë më parë në Maqedoninë Lindore ku një vajzë e mitur u detyrua nga ana e nënës së saj të kryente prostitucion për të paguar borxhin ndaj të afërmve të tyre që kishin. Në bazë të informacioneve jo zyrtare kjo vajzë kishte gati 3 vite që abuzohej seksualisht. Në pamundësi për ti bërë ballë situatës në të cilën po kalonte, vajza kishte paraqitur vetë rastin në polici. Një vit e gjysmë më parë u zbardh rasti i 13 vjeçares nga Shtëpia për kujdes “25 maji” e cila aborti, pasi muaj me radhë një grua nga Kavadarci e detyroi atë të bënte prostitucion.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme për gazetën KOHA theksuan se gjatë vitit 2018 është regjistruar një krim “ndërmjetësimit në prostitucion”, në të cilin viktimë është një femër e mitur, për të cilën ka akuza ndaj një personi. Në gjysmën e parë të vitit 2019 është regjistruar një vepër penale e kryerjes së prostitucionit ku gjithashtu ka vetëm një të akuzuar.
Mirëpo në pyetjet e gazetës KOHA se cilat janë arsyet që shumica e vajzave orientohen në këtë veprimtari të kundërligjshme, kush i paraqet këto raste dhe a ka ndonjë rrjet të organizuar prostitucioni në RMV, nuk pati përgjigje konkrete nga MPB.
Rastet e tilla nga ana e të miturave, sociologët i komentojnë si dukuri të cilat ekzistojnë nga fillimi i shoqërisë dhe ballafaqohen të gjitha shoqëritë në botë, ndërsa edhe RMV nuk është e kursyer nga ky fenomen. Shkaqet të cilat e nxisin prostitucionin janë të shumta por kur bëhet fjalë për prostitucionin e formës më të thjeshtë, shit-blerja, mund të thuhet se faktorë kryesor dhe katalizator nxitës është statusi social-ekonomik. “Shtresa të tëra të popullatës në shtetin tonë janë të margjinalizuara në aspektin socio-ekonomik, ndërsa shteti duhet të ndërmerr disa aktivitete parandaluese, duke filluar me funksionimin e ligjit në shtet si dhe ndërtimi i një baze më të shëndoshë socio-ekonomike, sepse askush nuk e bën këtë me qejf, të paktën jo në fazat e para, e më pas mund të krijoj edhe shprehi” u shpreh sociologu, prof. Etem Aziri për gazetën KOHA.
Mes të tjerash ai shtoi se analizat të cilat janë bërë nga ana e sociologëve flasin se shteti është jo funksional në këtë aspekt, kurse për ta vendosur prostitucionin nën kontroll duhet të ndryshohen shumë gjëra. “Shteti është në gjumë të thellë dimëror, nuk ka masa konkrete preventive si për parandalimin e kësaj dukurie por edhe alarmimin e popullit për tu mbrojtur nga rrjetat e prostitucionit. Në fakt prostitucioni nuk ndodh vetëm tek gjinia femërore por edhe tek gjinia mashkullore dhe në bazë të statistikave, dhe analizave të cilat janë bërë nga ana e sociologëve, kjo dukuri më shumë ndodh tek moshat e mitura dhe tek ata nga zonat rurale të cilët nuk kanë arsim të duhur. Romët si një kolektivitet i margjinalizuar për shkak kushteve jo të mira ekonomike, janë në numër më të madh por nuk janë të kursyer dhe etnitë tjera”, tha Aziri.
Por a mund të vihet në kontroll prostitucioni?! Sociologu Aziri theksoi se është një pikëpyetje e madhe sepse edhe vendet ekonomikisht më të zhvilluara dhe politikisht më stabile ballafaqohen me këtë fenomen. Ndërsa përveç institucioneve të cilat heshtin, pak po punohet në këtë drejtim në parandalimin e prostitucionit, e këtë më mirë e dëshmojnë analizat të cilat i kanë nga terreni. (koha.mk)