Patriot LUMANI
Strugë, 14 janar – Kryetari i Komunës së Strugës, Mustafa Zabzuni, në kuadër të takimeve me institucionet në varësi të pushtetit vendor, të premten u takua me drejtorin e ndërmarrjes komunale “Proaqua-Ohër”, Tome Paskal. Në këtë takimi, ushtruesi i detyrës kryetar i Komunës së Strugës Mustafa Zabzuni, përvec stafit të tij ishte i shoqëruar edhe nga përgjegjësi i “Proaqua” në Strugë, Aqif Ajro, si dhe sekretari i Komunës Krenar Lloga. Zabzuni u interesua në lidhje me problematikat e ndryshme të “Proaquas”, të cilat reflektojnë direkt në Komunën e Strugës në planin financiar. Kryetari i Komunës së Strugës kërkoi nga drejtorët më shumë sqarim sa i përket gjendjes së ndërmarrjes. Gjithashtu, ai paralajmëroi se së shpejti do të ketë takime në nivel komunash, por edhe më lartë për çështjen e borxheve dhe kreditë që Komuna e Strugës ka paguar për Proaquan. Sepse, siç tha ai, milionat që i janë marrë Komunës së Strugës ndikojnë direkt tek cilësia e jetës së qytetarit strugan. Ndërsa drejtori i gjeneral i NPK “Proaqua”-Ohër, Tome Paskal informoi se deri në vitin 2010 ndërmarrja e mbante veten financiarisht, por pastaj filluan punësimet jashtë kriterit, të cilat e rënduan gjendjen financiare të ndërmarrjes. Nga ana tjetër, tani nuk do të ketë më probleme sa përket rregullimit të çmimit për konsumin e ujit të pijshëm, sepse me këtë punë do të merret një Ent Rregullator për çmimin e ujit (sipas legjislacionit më të fundit) nënvizoi ai. Sekretari i Komunës së Strugës, Krenar Lloga, shprehu shqetësimin për ndikimin e borxhit të Proaqua-s në mënyrë direkte në Komunën e Strugës dhe se për këtë duhet të bëhen takime në nivel komunash, por edhe me qeverinë. “Në rast se merremi vesh që borxhi t’i falet ndërmarrjes atëherë dmosdoshmërisht do të duhet, që pjesa që ka paguar Komuna e Strugës deri tani të kthehet prapë në një formë apo në një tjetër”, përfundoi Lloga. Ndërmarrja publike ndërkomunale e ujësjellësit dhe kanalizimit “Proaqua” është themeluar nga komuna e Ohrit dhe Strugës, me seli në Strugë, që për drejtor gjeneral ka gjithmonë kuadër të propozuar nga Komuna e Ohrit, për të cilin pëlqim duhet të jap edhe kryetari i komunës së Strugës sipas statutit organik të saj. Ndërmarrja “Proaqua” ka disa vite që ballafaqohet me vështirësi të theksuara financiare dhe me detyrime të mëdha ndaj kredidhënsve dhe EVN-së, situatë e cila ka rezultuar me vështirësi të mëdha në dhënien e rrogave për të punësuarit. Kjo situatë e rëndë ka detyruar menaxhmentin e kësaj ndërmarrje që pothuajse çdo vit një pjesë të punëtorëve t’i dërgojnë në pushim të detyruar me qëllim që të përmirësoj situatën financiare e cila në vazhdimësi prej vitesh është para kolapsit. Ndërkohë, dy pushtetet vendore, si ai i Ohrit dhe Strugës, në vazhdimësi kanë kërkuar që ndërmarrja e përbashkët ndërkomunale “Proaqua” të ndahet juridikisht ndërmjet dy komunave, por kjo kërkesë e përsëritur nuk ka gjetur mbështetjen në ministrin e financës për arsye të kredisë disa milionëshe në euro që ndërmarrja ka marr në një bankë ndërkombëtare.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.