Tentimi për një gjuhë të përbashkët kombëtare në Indi, ku fliten më shumë se 19.500 gjuhë duke përfshirë edhe 22 të njohur në Kushtetutë, ka qenë një çështje kontestuese që kur u shpall pavarësia mbi 70 vjet më parë.
Duke komentuar në këtë temë kontestuese, ministri i brendshëm i Indisë, Amit Shah, së fundmi propozoi që gjuha Hindi, që më së shumti flitet në Indinë veriore, të shpallet gjuhë kombëtare e shtetit. Kjo shkaktoi zemërimin e shteteve jugore dhe verilindore.
Për më tepër, pas heqjes së autonomisë kushtetuese të rajonit Xhamu dhe Kashmir, shumë anëtarë të lartë në Partinë qeverisëse Bharatiya Janata (BJP) tani propozojnë shpalljen e alfabetit devanagari (alfabetit Hindisht) si alfabet zyrtar për gjuhët rajonale, përfshirë gjuhën kashmiri, gjuhën amtare të pjesës më të madhe të Luginës së Kashmirit me shumicë muslimane.
Shah apeloi për unifikim të Indinë duke promovuar gjuhën hindi që është gjuha më e folur e vendit, si gjuhën kombëtare. Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, 528 milionë njerëz, apo 43.63% e popullsisë në Indi, flasin gjuhën hindi. Edhe pse India ka dy gjuhë zyrtare të njohura në nivel kombëtar, hindi dhe anglisht, si dhe 22 gjuhë në nivel të shteteve, India nuk ka një gjuhë kombëtare.
Duke shpjeguar arsyetimin e shpalljes së gjuhës hindi për kombëtare, Shah tha: “India është një vend me shumë gjuhë të ndryshme dhe secila gjuhë ka rëndësinë e vet, por është e nevojshme që të kemi një gjuhë të përbashkët që bëhet shenja e identitetit të Indisë globalisht”.
Më herët gjatë muajin qershor, Ministria e Zhvillimit të Resurseve Njerëzore në Indi shpalosi kornizat e politikës së re edukative, duke bërë thirrje që gjuha hindi të jetë e detyrueshme në të gjitha shkollat në Indi.
– Fushata për ta inkuadruar gjuhën hindi në OKB
Që nga ardhja në pushtet e kryeministrit Narendra Modi në vitin 2014, India është angazhuar fuqishëm jo vetëm në promovimin e gjuhës hindi në vend, por edhe në nivelin ndërkombëtar. Sipas vlerësimeve, ajo ka shpenzuar 6.7 milion dollarë për promovimin e gjuhës në kryeqytetet botërore dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Ministria e Jashtme ishte ngarkuar me detyrën që kjo gjuhë të bëhet një gjuhë zyrtare e OKB-së.
Një zyrtar i lartë indian tha se në seancën e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, delegacioni indian do të përpiqet të bindë anëtarët për të inkuadruar gjuhën hindi si një gjuhë zyrtare.
Sipas procedurave të OKB-së, për ta bërë gjuhën hindi një gjuhë zyrtare në OKB nevojitet miratimi i një rezolute të mbështetur nga të paktën 2/3 e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kjo gjithashtu përfshin shpenzimet shtesë që duhet të mbulohen nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së.
Në mars të vitit 2018, India nënshkroi memorandum me Sekretariatin e OKB-së për një periudhë fillestare prej dy viteve në të cilën do të rritej vëllimi dhe numri i përmbajtjeve në gjuhën hindi të publikuara nga OKB.
Nga partia më e madhe opozitare, Kongresi Kombëtar i Indisë, thonë se ministri po ndizte zjarr, pasi India është një vend i larmishëm. Duke folur për Anadolu Agency (AA), zëdhënësi i Kongresit, Anand Sharma, tha se e ka këshilluar qeverinë që të mos nxisë polemika.
“Ne nuk duhet të nxisim polemika mbi çështje emocionuese dhe të ndjeshme të cilat janë zgjidhur nga pjekuria e krijuesve të kushtetutës së Indisë dhe kryeministrit pas pavarësisë, veçanërisht po i referohem kryeministrit të parë, Pandit Jawaharlal Nehru”, tha ai.
Propozimi i qeverisë do të krijonte vetëm grindje dhe trazira në vend, shtoi Sharma.
Gjuha hindi flitet nga një shumicë e konsiderueshme e popullit të Indisë, por anglishtja është po aq e rëndësishme për të qenë konkurrues global dhe për t’u bërë një udhëheqës global. “Por, pavarësisht nëse bëhet fjalë për gjuhën tamile, kannada, bengali, odiya, guxjarati, marathi, punjabi, urdu, të gjitha janë gjuhë indiane. Edhe unë flas gjuhën hindi. Por i respektoj të gjitha gjuhët e tjera në vend”, tha Sharma.
– Shtetet jugore kundërshtojnë
Partitë politike në shtetet në jug të Indisë, si në Tamil Nadu, Kerala, Karnataka, Andhra Pradesh dhe Telangana, si dhe shtetet verilindore Bengal dhe Assam, kanë kundërshtuar këtë veprim.
Kundërshtimi më i zëshëm ka ardhur nga shteti më jugor Tamil Nadu, ku edhe partia qeverisëse AIADMK, si dhe partia opozitare DMK, janë shprehur të habitur.
Ministri i arsimit i këtij shteti, K.A. Sengottaiyan, siguroi se krahina e tij është e përkushtuar me mësimin në formulën dy-gjuhëshe (gjuha amtare tamile dhe anglishtja) dhe nuk ka asnjë mundësi për të imponuar gjuhën hindi.
Kryetari i partisë opozitare, M.K. Stalin, gjithashtu kërkoi nga Shah që të tërheqë deklaratat e tij në lidhje me gjuhën hindi, pasi ata janë të përkushtuar nda unitetit kombëtar dhe integritetit.
“Kjo është India, jo Hindia. DMK nuk do të hezitojë të bashkojë shtetet që mund të humbin të drejtat e tyre legjitime në llogari të hegjemonisë hindi. Trupi politikbërës i nivelit të lartë të partisë do të takohet të hënën për të vendosur për rrjedhën e ardhshme të veprimeve”, tha ai.
Vaiyapuri Gopalasamy, një lider i opozitës i njohur si Vaiko, paralajmëroi se imponimi i gjuhës hindi do të “ballkanizonte” Indinë. Ai iu referua përpjekjeve të Pakistanit për të imponuar gjuhën urdu në krahun e saj lindor, që përfundimisht çoi në trazira të përgjakshme dhe më pas krijimin e Bangladeshit në vitin 1971.
“Imponimi i gjuhës hindi në shtetet ku nuk flitet kjo gjuhë do të çonte në ballkanizimin e shtetit, ku vetëm shtetet ku flitet hindi do të ngelnin në Unionin Indian”, tha Vaiko.
Edhe B.S. Yediyurappa, kryeministri i shtetit Karnataka të qeverisur nga BJP, kundërshtoi propozimin “një komb, një gjuhë” të Shah, duke thënë se “Të gjitha gjuhët zyrtare në vendin tonë janë të barabarta. Sidoqoftë, për sa i përket Karnatakas, gjuha Kannada është gjuha kryesore. Ne kurrë nuk do ta kompromentojmë rëndësinë e saj dhe jemi të angazhuar për të promovuar gjuhën Kannada dhe kulturën e shtetin tonë”.
Duke folur për AA, Asaduddin Owaisi, kryetar i partisë AIMIM dhe deputet, thotë se gjuha hindi nuk është gjuhë amtare e çdo indiani. Ai madje vuri në dyshim shifrat e regjistrimit, duke thënë se zyrtarët kanë vendosur gjuhën hindi si gjuha amtare të shumë njerëzve, pa i pyetur ata fare.
Ai i kërkoi qeverisë aktuale indiane të respektojë larminë dhe bukurinë e shumë gjuhëve që përcaktojnë vendin. Duke iu referuar nenit 29 të Kushtetutës Indiane, ai tha se Kushtetuta njeh çdo gjuhë, alfabet dhe kulturë të veçantë. “India është shumë më e madhe se Hindi, Hindu, Hindutva. Ka unitet në diversitet që e ka mbajtur Indinë të bashkuar gjatë 70 viteve të fundit”, tha ai.
Pinarayi Vijayan, kryeministri i shtetit jugor Kerala, tha se imponimi i gjuhës hindi si gjuhë kombëtare është në kundërshtim me frymën e diversitetit gjuhësor të vendit. Ai tha se konceptimi nacionalistit hindu nga Rashtriya Swayamsevak Sangh (RSS) për “një komb, një kulturë, një gjuhë” është i rrezikshëm për një vend si India. Gjuha shtetërore në Kerala është gjuha Malayalam.
– Tentimi për të ndryshuar alfabetet e gjuhëve rajonale
Në një tjetër veprim që ka për qëllim që të unifikojë shtetin, shumë liderë të BJP-së kërkojnë që alfabetet e gjuhëve rajonale duhet të ndryshohen në devanagari, alfabetin hindi. Para dy viteve, qeveria qendrore ofroi shpalljen e gjuhës kashmiri si një gjuhë të klasifikuar, por të shkruhej në alfabetin devanagari dhe sharada, krahas alfabetit aktual perso-arabik. Studiuesit thonë se nëse alfabeti i gjuhës kashmiri ndryshohet, edhe gjuhën urdu e pret i njëjti fat, pasi alfabeti i saj është gjithashtu në perso-arabisht.
Përderisa disa thonë se njohja e shkrimit devanagari për gjuhën Kashmiri do ta bëjë atë më të pranueshme për banorët hindu të Kashmirit që tani jeton jashtë Kashmir, të tjerët besojnë se kjo do të çonte në humbjen e gjithë letërsisë së prodhuar gjatë tetë shekujve të fundit.
Ish-ministri Saifuddin Soz thotë se pushteti në Delhi “qëllimisht” po shënjestron kulturën dhe gjuhën në Kashmir.
Amit Ranjan, një studiues në Institutin e Studimeve të Azisë Jugore të Universitetit Kombëtar të Singaporit, beson se një gjuhë lulëzon vetëm duke tërhequr njerëz dhe jo përmes imponimit.
“Një atraksion i madh ka qenë industria e filmave Hindi, e cila ka popullarizuar gjuhën hindi në zonat ku nuk flitet hindi në Indi. Kur u imponua nga një vendim nga qeveria qendrore, hindi u kundërshtua nga njerëzit e jugut dhe lindjes. Kur u përcoll në mënyrë joshëse nga mediumi i kinemasë dhe televizionit, hindi është pranuar nga ata”, tha ai.
Gjuhët e folura në Indi, numri i folësve dhe përqindja e popullsisë, Burimi: Regjistrimi i vitit 2011
Gjuha Numri i folësve (në milionë) Përqindja (%)
Hindi 528 46,63
Bengali 97 8,03
Marathi 83 6,86
Telgu 81 6,70
Gujarati 55 4,58
Urdu 50 4,19
Malayalam 34 2,88