Ankara, 13 nëntor – Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputet aktual nga radhët e Partisë të Drejtësisë dhe Zhvillimit në pushtet Ahmet Demirxhan në Parlamentin turk parashtroi propozim-ligj me të cilin duhet t’i jepet fund trafikimit ilegal me organe.
Parlamenti turk këtë javë debaton për propozim-ligjin, me të cilin definohen kushtet për dhurim dhe pranim të organeve për transplantim. Nevoja për këtë ligj del nga raportet gjithnjë e më të shpeshta në media për turqit të cilët shesin veshkat në tregun e zi.
Sipas projekt-ligjit, hiqet edhe kushti se duhet të jetë i martuar të paktën dy vjet që bashkëshortja dhe bashkëshorti të dhurojnë apo të marrin organ nga bashkëshorti. Gjithashtu është paraparë të formohen komitete të posaçme etike në qendrat e qarqeve ku ka qendra për transplantim.