Në Analizën me titull “Pakica shqiptare në RPM-ë”, hartuar më 10 shkurt 1952, nga Komisioni i KQ të PKM-së, i udhëhequr prej Kërste Cërvenkovskit, vihej në dukje fakti se te masat shqiptare “ka shumë më tepër përkrahës të luftës kundër Shqipërisë së Enverit, por edhe për bashkimin e Shqipërisë pa Enverin”
Nga Qerim LITA
(vazhdon nga numri i kaluar)
Qeveria e Enver Hoxhës me politikën e saj ka mundësuar që elementet reaksionare në emigracion, bashkëpunëtorë të okupatorit fashistë, me ndihmën e disa rretheve imperialiste nga jashtë të grejnë krye, duke hartuar plane për depërtim në Shqipëri, për rikthimin në pushtet të reaksionarëve të vjetër, të cilët për çdo herë i kanë shitur interesat e popullit dhe atdheut tonë.
Populli Shqiptar!
Asnjëherë atdheu ynë nuk ka qenë në një situatë kaq të rëndë siç është sot. Kjo neve na detyroi që t’ju drejtohemi në këtë mënyrë. Para terrorit të Enver Hoxhës, ne emigracioni politik shqiptar, të cilët mbi të gjitha e duam pavarësinë dhe dinjitetin e popullit tonë, ishim të detyruar ta lëshojmë atdheun tonë dhe të gjejmë strehim në Jugosllavinë socialiste vëllazërore, me dhimbje i dëgjojmë lajmet për terrorin e paparë që po zbatohet mbi ju, vëllezërve dhe motrave tona, prindërve tonë, mbi tërë popullin shqiptarë.
Ne këtu përsëri u bindëm se popujt e Jugosllavisë, Partia Komuniste e Jugosllavisë dhe shoku TITO, si edhe më herët, ashtu edhe sot janë miqtë më të mëdhenj të popullit tonë, atyre mbi të gjitha ju intereson që të jetojnë në vëllazëri dhe miqësi me popullin tonë, se ato janë për një Shqipëri vërtetë demokratike, të lirë, të pavarur, dhe të pandashme.
Edhe pse ishim të detyruar që përkohësisht ta lëshojmë atdheun tonë, ne përpiqemi të luftojmë kudër qeverisë tradhtare të Enver Hoxhës. Ne jemi të vetëdijshëm që me luftën e përbashkët të tërë popullit shqiptar se do ta sigurojmë atë që është në interesin jetik për të gjithë ne – pavarësinë e Republikës së Shqipërisë, të lirë, demokratike dhe të pandashme. Ne mendojmë se për secilin shqiptar të ndershëm vendi është në frontin e luftës kundër tradhtisë që po e bënë klika e Enverit – dhe për lirinë dhe pavarësinë të popullit shqiptar, m’u për këtë i drejtohemi secilit shqiptar të ndershëm nga fshati apo qyteti që të bashkohet në këtë luftë, sepse kjo është e vetmja rrugë e shpëtimit për popullin tonë të vogël. Ne e dimë se në këtë rrugë populli Shqiptar, si edhe deri tani, do të ketë përkrahje dhe simpati nga vëllezërit tonë jugosllav.
Vëllezër dhe Motra!
Ne na gëzon që edhe në një situatë të rëndë nuk jeni dëshpëruar, që jeni edhe sot, si edhe në të kaluarën e lavdishme: të përgatitur për të luftuar për një Shqipëri vërtetë demokratike, për pavarësi dhe liri të plotë të saj. Ne e dimë që juve qeveria e Enver Hoxhës, për shkak rezistencës që akoma po e bëni, se në mënyrë të paparë po ju ndjekë /ne e dimë se në Shqipëri ka më shumë burgje dhe llogore se sa në kohën e okupacionit fashist/ . Krimi që po kryhet në Tepelenë, Berat dhe në Himarë, krimi ndaj 800 familjeve nga Shqipëria Jugore liridashëse, janë dëgjuar shumë larg kufijve të shtetit tonë. Ekzpedita ndëshkuese në krye me Mehmet Shehun, pas gjithë asaj që veprojnë sot na e përkujtojnë okupacionin fashistë. Këto janë shenja të paaftësisë nga ana e pushtetmbajtësve të deritanishëm të cilët luftojnë kundër popullit të vetë. Masat më të reja të qeveris tradhtare Enveriane: shpallja e gjendjes kritike dhe dekreti famoz prej 26 shkurtit të këtij viti, tregon më së miri për gatishmërinë e Enver Hoxhës dhe tradhtarëve tjerë që për interesat e të huajve shkojnë në likuidime fizike ndaj popullit të vetë. Në luftën kundër tradhtisë së pushtetbajtësve të tanishëm, në luftën për pavarësinë, lirinë dhe Shqipërinë e pandashme demokratike, ne jemi me ju. Të përpiqemi me forcat e përbashkëta në luftë deri në fitoren e plotë, për krijimin e serishëm të atyre idealeve që i fituam gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. T’i bashkojmë të gjitha forcat tona në atë luftë dhe të mos lejojmë që luftën tonë kundër tradhtisë dhe terrorit të Qeverisë Enveriane ta shfrytëzojnë shërbëtorët reaksionarë të okupatorit fashistë nga diaspora.
Komunistë Shqiptarë!
Juve, si organizator të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit tonë, që me guximin dhe dashurin tuaj ndaj popullit keni shërbyer si shembull dashamirëve tjerë në luftën nacionalçlirimtare – posaçërisht po ju drejtohemi. Ju jeni më përgjegjësit për të ardhmen e Shqipërisë dhe popullit tonë. Mos lejoni që të krijohen plane djallëzore nga ana e Enver Hoxhës dhe tradhtarëve tjerë. Zhvilloni luftë për liri të vërtetë, dhe për një Shqipëri vërtetë demokratike dhe të pandashme. Brenda klikës partiake qëndron një pastrim, që për arsye karrieriste sot po e zbaton Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, po paraqet një rrezik i vërtetë për secilin komunist të vërtetë. Nxjerrni konkluzat e nevojshme nga ajo çka i ndodhi Koçi Xoxës, Nijazi Islamit dhe luftëtarëve tjerë të ndershëm dhe gjeni mundësi më të mira për të vazhduar luftën për të mirën e popullit tonë. Mos lejoni që t’ju ndajnë juve nga populli i cili lufton kundër tradhtisë dhe terrorit të paparë. Bëhuni të vetëdijshëm për këto, që nga përpjekjet dhe shkathtësitë tuaja në udhëheqjen e lëvizjes revolucionare të popullit tonë, që po zhvillohet gjithnjë e më shumë kundër tradhtisë dhe terrorit të klikës Enveriane në Shqipërinë e tanishme, varet suksesi i luftës, si kundër tradhtisë të pushtetbajtësve të tanishëm, poashtu edhe kundër mashtrimit që po e përgatisin kundër popullit tonë elemente të ndryshëm reaksionarë, ish shërbëtorë të okupatorëve fashistë nga diaspora.
Të rrojë liria e vërtetë, pavarësia e Republikës Demokratike të Shqipërisë së pandashme.
Të rrojë uniteti i popullit shqiptar në luftën kundër tradhtisë dhe terrorit të klikës Enveriane.
Të rrojë vëllazëria dhe miqësia e popullit shqiptarë me popujt jugosllav”.
Menjëherë, pas kësaj konference si dhe proklamatës,përkatësisht “Thirrjes” së lëshuar në të, nëpërmjet gazetës “Shqipëria”, reagoi Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë. Në një shkrim të kësaj gazete ndër të tjerash thuhej:
“Propaganda e gjerë e Radio Beogradit dhe gazetës zyrtare ‘Borba’ trumbetoi se ata ishin mbledhur në këtë kongres për të krijuar bashkimin e shqiptarëve jashtë atdheut, me qëllim rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës dhe krijimin e një Shqipërie të lirë, të pavarur dhe të bashkuar. Edhe Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë angazhohet për një Shqipëri të pavarur dhe do të vazhdojë të angazhohet dhe të punojë vazhdimisht për lirinë e atdheut. Ne kemi qenë të mendimit që Komiteti shqiptar i Marshallit Tito të shihet me vëmendje të madhe. Donim të besonim se formimi i këtij komiteti ishte një hap i mëtejshëm i Marshallit Tito drejt forcimit të lidhjeve të tij miqësore me Perëndimin, që do t’u jepte mundësi vëllezërve tanë shqiptarë në Jugosllavi të bashkëpunonin me Komitetin Kombëtar Shqipëria e Lirë për çlirimin e atdheut tonë nga tradhtarët e kuq… Por tani shihet se nuk ishte ky qëllimi i konferencës së Prizrenit. Ndoshta vëllezërit tanë kanë qëllime pozitive, por ata pengohen në këtë nga interesat jugosllave.”.
Ngjashëm do të reagojë edhe Sait Kryeziu, i cili në një mbledhje të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, shprehet: “Tito ende nuk ka hequr dorë nga pretendimet që në pushtet në Shqipëri të sjellë njerëzit e vet, d.m.th. komunistët dhe antikomunistët dhe as aleatët perëndimorë s’kanë mundur deri tani t’ia mbushin mendjen që të deklarohet që pushtetin në Tiranë ta marrë Komiteti…Marrshali Tito duhet ta kuptojë përfundimisht se është në interesin e tij dhe të Jugosllavisë që Shqipëria të jetë demokratike dhe e lirë, e jo të jetë një ferrë kominformiste në këmbën jugosllave…”.
Duhet të vëmë në dukje faktin se të gjitha raportet që vinin nga terreni bënin me dije se pjesa dërmuese e refugjatëve politik shqiptar të vendosur në trevat Verilindore, ishin përkrahës të politikës perëndimore, përkatësisht të Komitetit Shqipëria e Lirë. Shërbimi sekret jugosllav-maqedonas, UDB-ë, i raportonte KQ të PKM-së, se të gjithë ata “emigrantë”, të vendosur në Dibër të Madhe, Tetovë, Shkup e Kumanovë, janë kundërshtarë të hapur të regjimit enverian dhe, si të tillë, zhvillojnë fushatë të hapur para shtresave, se: “në një kohë të afërt patjetër duhet të fillojë lufta”, dhe se atëherë ata në krye me komitetet perëndimore do ta sulmojnë Shqipërinë dhe me “ndihmën e forcave perëndimore do ta krijojnë sistemin juridik demokratik, i cili do ta bashkojë tërë Shqipërinë…”.
Ishin pikërisht këto arsyet kryesore që udhëheqja politike jugosllave, përkatësisht ajo maqedonase, te kjo shtresë, përkatësisht, te nacionalistët shqiptarë, të sheh rrezikun më të madh se sa te politika zyrtare shqiptare, përkatësisht enveriane. Në Analizën me titull “Pakica shqiptare në RPM-ë”, hartuar më 10 shkurt 1952, nga Komisioni i KQ të PKM-së, i udhëhequr prej Kërste Cërvenkovskit, vihej në dukje fakti se te masat shqiptare “ka shumë më tepër përkrahës të luftës kundër Shqipërisë së Enverit, por edhe për bashkimin e Shqipërisë pa Enverin”. Tërë kjo, sipas hartuesve të Analizës, ishte rrjedhojë e urrejtjes shumë të madhe, që ekzistonte te masat shqiptare “ndaj Rusisë si dhe ndaj Enverit, si eksponent i ‘Komunizmit Moskovit’…”. Prijësit e kësaj linje, siç theksohej në dokument, ishin “emigrantët e ardhur nga Shqipëria”, të cilët janë përkrahës të komiteteve antikomuniste shqiptare në botën perëndimore.
“…Emigracioni i sotëm që është udhëheqës i luftës kundër Shqipërisë së Enverit, – theksohej në Analizë – që në numër të madh jeton në këto territore, i përhap idetë për bashkimin e Shqipërisë pa Enverin dhe Rusinë. Kjo, veçanërisht ka ndikim të thellë në Dibër dhe Strugë dhe territoret tjera, kështu që parashtrohet një pyetje shumë serioze: Nëse do të vinte deri te një qeverisje nga ana e komiteteve perëndimore shqiptare, a do të kishim vështirësi shumë më të madhe? Kjo nënkupton se në atë rast kundër nesh do të kishim kundërshtarë më të fortë nga kjo e sotmja në Shqipëri… Nga ana tjetër, gjendja e sotme vërtetë e keqe në Shqipërinë e Enverit, na jep mundësi të mira për të punuar me shqiptarët…”. (vijon në numrin e ardhëm)